Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka deklaruar se kandidatët që do të kandidojnë për kryetar të komunave veriore, mund të kenë kërcënime dhe shantazhime, e kjo sipas saj, ka ndodhur edhe herëve të tjera.

“Më së shumti shoh problem në faktin që kandidatët që do të kandidonin për kryetar të komunave, do të mund të kenë kërcënime do të shantazhohen sikur qysh ka ndodhur edhe herëve të tjera me kandidatët nga subjektet tjera politike, të cilët kanë qenë të gatshëm të garojnë për kryetar të katër komunave”, është shprehur Daka.

Duke folur në emisionin “FIVE” për problemet apo vështirësitë që mund të kenë institucionet e Kosovës, pas bojkotimit të Listës Serbe, po ashtu, edhe zyrtarëve serbë në institucione e tjera, ajo ka shtuar se do të ketë probleme edhe në numrin e kandidatëve për kryetar të komunave veriore.

“Është edhe çështja e sigurisë, edhe pse në atë pjesë të Kosovës kemi përgjegjës për siguri përveç të Policisë së Kosovës edhe EULEX-in edhe KFOR-in”, ka thënë tutje Daka.

Ndërsa, për dorëheqjen nga pozita për katër zyrtarët serbë të KQZ-së, ajo ka thënë se për momentin nuk ka kurrfarë problemi kushtetues në lidhje me këtë çështje, sepse për rizgjedhjen e tyre do të rekomandohen nga KQZ-ja, sipas radhës, ashtu siç i kanë votat të regjistruara dhe të certifikuara në KQZ.

Çfarë ndodh nëse nuk pranojnë kandidatët?

Po ashtu, nëse të zgjedhurit nuk pranojnë që të jenë ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, sipas ish-kryetares së KQZ-së, kjo mbetet vetëm një supozim sepse ende nuk dihet se a i pranojnë mandatet apo jo, “procedura do të vazhdojë derisa sa ka kandidat”.

“Nëse ndodh kjo, atëherë do të vazhdohet me kandidatët nga subjektet tjera politike të cilat kanë garuar për vendet e rezervuara për serbët në parlament dhe pastaj do të shohim se çka do të ndodhë”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, Daka ka thënë se në momentin kur shpallen zgjedhjet, të zgjedhurit janë edhe kryesues të KKZ-ve në ato katër komuna.

Ndërkaq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë marrë vendimin për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës të 5 nëntorit, në Zveçan.

Njoftimi kishte ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Dorëheqjet e serbëve në institucionet e Kosovës kanë vijuar edhe më 9 nëntor. Siç bëhet e ditur, katër zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të angazhuar në komunat veriore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezil, ka deklaruar se tashmë kanë pranuar njoftimin për dorëheqje.