Zyrtarët në veri të Francës kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse dalja nga shinat e një treni pasagjerësh, të premten mbrëma, ishte pasojë e një akti të qëllimshëm.
Prokurori Sébastien Gallois tha të shtunën se pista kryesore e hetimit lidhet me praninë e një pjese të shiritit hekurudhor në njërën prej binarëve.
“Në këtë fazë, teoria kryesore është se një pjesë e hekurudhës ishte e pranishme në njërën prej binarëve, duke shkaktuar potencialisht daljen e trenit nga shinat. Arsyeja e pranisë së saj është e panjohur”, tha Gallois.
Sipas mediave lokale, në trenin që udhëtonte në linjën Rouen-Caen, në Normandi, ndodheshin 186 pasagjerë.
Si pasojë e incidentit, 44 persona morën trajtim mjekësor për lëndime, përfshirë një 18-vjeçare e cila u transportua me helikopter në spital në gjendje kritike.
Prokurori Gallois bëri të ditur se “kutia e zezë” e trenit është sekuestruar, ndërsa janë planifikuar disa marrje në pyetje dhe është angazhuar një ekspert i caktuar nga gjykata.
“Viktima kryesore është ende në spital, por jeta e saj nuk është më në rrezik. Viktimat e tjera kanë marrë kujdes dhe trajtim; ato ose janë liruar nga spitali ose pritet të lirohen”, tha ai.
Më herët, Prokuroria e Rouenit kishte bërë të ditur se drejtuesi i trenit rezultoi negativ në testet për drogë dhe alkool.
Treni doli nga shinat pranë Cléon, në jug të Rouenit, pak para orës 20:00 të së premtes, ndërsa në vendngjarje u angazhuan menjëherë rreth 140 zjarrfikës dhe ekipe të tjera të emergjencës.
Një nga pasagjerët, Louis, i tha radios ICI Normandie se fillimisht kishte ndjerë disa goditje të lehta, të cilat më pas u përforcuan.
“Papritur pati disa goditje dhe më pas, pas rreth tre sekondash, ato u bënë gjithnjë e më të forta”, tha ai.
“Nuk mund të qëndroja më në ulësen time. Dritaret u thyen pjesërisht, ndërsa gurët nga shinat hynë në vagon. Ishte vërtet tronditëse. Ende po dridhem”, shtoi pasagjeri.