Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Marrëveshja e Washingtonit ka pasur për qëllim të nxisë bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve dhe ka qenë e ndarë nga procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Janë dy gjëra krejt të tjera, ajo ka qenë marrëveshje për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, e ndarë nga procesi i dialogut. Procesi i dialogut ka qenë i strukturuar në Bruksel, unë isha takuar disa herë me palën serbe përpara takimit të Washingtonit dhe pas takimit, unë i kam vazhduar takimet me palën serbe, për procesin e dialogut, për njohjen reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur Hoti.

Pra, ai ka theksuar se marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Washingtonit janë dy marrëveshje komplet të tjera.

“Duke hyrë në projekte të mëdha infrastrukturore, në autostrada, në hekurudha, në investime të mëdha amerikane dhe ka pasur disa elemente të caktuara ekonomike përfshirë edhe njohjen nga Izraeli, për të treguar që ShBA-ja është mbështetëse e plotë e Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Po ashtu, ai ka thënë se dakordimet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë të obligueshme edhe tani.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se nga Qeveria aktuale për projektet e autostradave nuk është bërë asnjë gjë.

Ndërkaq, ShBA-ja, sipas tij, e ka kryer obligimin e saj me sundimin e fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit, me të cilin, siç ka thënë ai, “këta mashtruesit bëhën sikur është falë ai, ndërkohë që departamenti për energji i SHBA-së i nxori modelet sikur mes Kanadasë dhe ShBA-së sikur dy vende të ndara që duhet të rregullojnë ujërat që kalojnë në territorin e dy vendeve”.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Në bazë të kësaj marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohej “zonës së mini-Schengenit”, që ishte krijuar më 2019 dhe ku marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu ishte përmendur edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihej që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.