Daut Haradinaj, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Haradinaj ka thënë se beteja për drejtësi do të vazhdojë deri në lirimin e tyre nga të gjitha akuzat.
“Beteja për drejtësinë do të vazhdojë deri në drejtësinë e plotë, deri në lirimin e tyre nga secila akuzë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka deklaruar se UÇK-ja ishte një luftë çlirimtare dhe ka kundërshtuar cilësimin e saj si organizatë kriminale.
“UÇK është e pastër. Lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare dhe nuk ka gjykatë që mund ta dënojë shpirtin çlirimtar”, ka thënë ai.
Haradinaj u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të reagojnë lidhur me mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Kosova dhe institucionet e saj duhet të marrin masa të menjëhershme për mënyrën se si është sjellë kjo gjykatë politike ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Heshtja nuk është më e pranueshme”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit të luftëtarëve të UÇK-së.
“Deri në fund. Deri në drejtësi. Jemi bashkë me ata katër burra atje, me secilin ushtar të UÇK-së”, ka përfunduar Haradinaj.