Debati për mbajtjen e shamisë në shkolla: Perspektiva e Donjeta Demollit dhe Nora Huseinovic

Huseinovic ka argumentuar se udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla është një kërcënim për konsolidimin e demokracisë në Kosovë dhe bie në konflikt me të drejtat e fëmijëve dhe lirinë fetare, duke e krahasuar atë me ligjin dhe kushtetutën. Ndërsa, Demolli nga PSD-ja vlerësoi debatet si të domosdoshme për shoqërinë në zhvillim dhe theksoi nevojën për zgjidhje për 13-vjeçaren që të mund të kthehet në shkollë, duke shtuar se shkollimi publik është obligativ dhe i ofruar pa dallim përkatësie

Emisioni "Rreth e Rrotull"

Në emisionin “Rreth e Rrotull”, të ftuar ishin Nora Huseinovic, me profesion avokate dhe Donjeta Demolli nga radhët e Partisë Social-Demokrate, ku u diskutua rreth mbajtjes së shamisë në shkolla dhe përjashtimin e një 13-vjeçarjeje e cila u përjashtua nga shkolla për shkak të mbulesës.

“Është për të ardhur keq për procesin e konsolidimit të demokracisë së Republikës së Kosovës, që ne si qytetarë të ballafaqohemi me një problem të tillë. Pra, e kemi prej vitit 2009, një udhëzim administrativ që është një akt nënligjor i aprovuar në Qeveri, dhe ai udhëzim administrativ po tregohet më i fuqishëm sesa vetë ligji e kushtetuta jonë. Udhëzimi administrativ siç jemi të njoftuar të gjithë e ndalon bartjen e uniformës fetare dhe thjesht në mesin e gjitha veprimeve të tjera të ndaluara siç janë: përdorimi i drogës, i alkoolit, i duhanit dhe bartja e armëve të ftohta në shkolla e të tjera, renditet edhe bartja e shamisë së kokës dhe kjo është një ironi në vete”, ka thënë Huseinovic.

Tutje, ajo ka theksuar se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës e siguron drejtpërdrejt zbatimin e konventave përkatëse, në mesin e tyre është edhe konventa për të drejtat e fëmijës. Tek të drejtat e fëmijëve kemi të drejtën në arsimim dhe lirinë e fesë apo lirinë e manifestimit të fesë, ku thjesht njeriu me veshjen e vet manifeston fenë dhe tregon përkatësinë e vet fetare”.

“Çdo person, e në mesin e personave edhe vajzat edhe gratë, e gëzojnë këtë autonominë për me vendosë se çfarë me veshë, dhe realisht Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut e mbron këtë autonomi, këtë autonomi lidhur me veshjen e mbron me lirinë e shprehjes”, vijon ajo.

Në emisionin “Rreth e Rrotull”, të ftuar ishin Nora Huseinovic, me profesion avokate dhe Donjeta Demolli nga radhët e Partisë Social-Demokrate

Ndërsa, në anën tjetër, Donjeta Demolli nga PSD-ja, ka thënë se debate të tilla janë të domosdoshme për ne, si shoqëri në zhvillim.

“Tema e skularizmit të shoqërisë dhe orientimit të shoqërisë tonë, përcaktimeve në bazë të Kushtetutës apo në përgjithësi janë tema të rëndësishme, janë debate të cilat janë të domosdoshme në shoqërinë tonë, si shoqëri në zhvillim”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, avokatja Huseinovic shkoi edhe më tej se “shfuqizimi i këtij udhëzimi administrativ varet vetëm nga vullneti politik, e në një demokraci ku pushteti ekzekutiv ka një fuqi kaq të madhe me vendosë për fatin e gjithë qytetarëve të vendit lidhur me gëzimin e të drejtave dhe lirive të tyre që ua garanton Kushtetua, atëherë vijon pyetja se a jemi ne shtet demokratik apo jemi shtet autokratik”.

Ndër të tjera, Demolli ka theksuar se shkollimi publik është obligativ dhe vajza 13-vjeçare duhet të kthehet në bankat shkollore.

“Shkollimi publik është i domosdoshëm të jetë i ofruar tek të gjithë fëmijët pa dallim përkatësie etnike, fetare, racore apo kulturore. Shteti i Kosovës është i detyruar të gjejë zgjidhje për fëmijët në bashkëpunim me prindin dhe fëmijën. Cilado që të jetë zgjidhje që ata preferojnë që ky trekëndësh mendojnë që është zgjidhja e duhur, atëherë ajo zgjidhje mund të jetë përcaktimi i ardhshëm. Mirëpo ne jemi në një pikë ku një vajzë sot është në shtëpi dhe kjo është e papranueshme. Vajza duhet të kthehet në shkollë, ndërsa elementet e tjera janë faza e dytë e dialogut dhe gjykimit mbi vendimit që duhet të merret”, ka përfunduar Demolli.

Ndërsa, në fund, Huseinovic ka përfunduar se asnjë person nuk duhet të trajtohet ndryshe për shkak të përkatësisë fetare.

“Ligji kundër diskriminimit e përcakton qartë se asnjë person nuk duhet të trajtohet ndryshe për shkak të përkatësisë etnike apo fetare dhe në rastin konkret pavarësisht që ne lindim me një etni, ndërsa fenë e zgjedhim, Kushtetuta nuk bën dallim ndërmjet këtyre dy përkatësive, dhe nuk duhet të jenë arsye për me u trajtu ndryshe dikush”, ka përfunduar Huseinovic.

Shija e redaktorit

Rama: Mirëmengjes me përulje e nderim për Afrim Bunjakun

“MIRËMËNGJES me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrë”. Kështu ka shkruar kryeministri  Shqipërisë...

Tragjedia e 24 shtatorit, sulmi terrorist dhe vrasja e policit...

Këtë të hënë, më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist. Tragjedia vazhdoi...

Nora Gjakova, e artë në Grand Slamin e Bakusë

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, ka fituar medaljen e artë ne Grand Slamin e xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit Gjakova e mposhti gjeorgjianen...

Të fundit nga rubrika