Debati për pagat – komunat thonë se i kanë dorëzuar listat me kohë

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para datës 10 shtator. Ky reagim vjen pas deklarimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat nuk i kanë raportuar Ministrisë së Financave, listat e punëtorëve për muajin shtator

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci





Pas deklarimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat nuk i kanë raportuar Ministrisë së Financave, listat e punëtorëve për muajin shtator, këtë e ka mohuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para datës 10 shtator.

“Kjo deklaratë e ministres nuk qëndron. Të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit dhe niveli qendror e ka obligim ligjor t’i ekzekutojë pagat prej listave të pagave që dorëzohen nga komunat e jo të ndërhyjë se kujt duhet t’i bëhet pagesa e kujt jo”, është shprehur Ibrahimi.

“Vetëm sektori i arsimit është i prekur nga kjo. Ne po shpresojmë dhe duam të besojmë që deri më 5 tetor kur edhe mbaron afati ligjor për ekzekutimin e pagave të merret parasysh. Po presim se çka do të ndodh deri nesër”, shtoi ai.

E njëjta ka ndodhur edhe me punëtorët e arsimit në komunat ebanuara me shumicë serbe.

Sipas tij, të njëjtit ani pse nuk kanë mbajtur grevë, nuk janë paguar për muajin shtator.

“Kam biseduar edhe me kryetarin e Parteshit dhe përfaqësues të komunave të Ranillugut dhe Novobërdës, ata kanë punuar, pra nuk kanë qenë në grevë megjithatë nuk kanë marra paga. Pra, nuk qëndron ajo se kush ka punuar ka marrë pagë. Po flas për sektorin e arsimit”, ka theksuar Ibrahimi.

Ramosaj – Nagavcit: Ministre e paaftë, huqjet e juaja janë bërë të zakonshme

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar ndaj ministres Nagavci, duke e quajtur të njëjtën si të “paaftë”, për udhëheqjen e këtij dikasteri.

Sipas Ramosajt, komunat i kanë proceduar pagat sipas ligjit ndërsa Thesari i shtetit e ka ndaluar ekzekutimin e tyre.

“Fatkeqësisht tashmë janë bërë të zakonshme HUQJET që po i bënë kjo qeveri, e pritshme për mua që kësaj radhe ia huq ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e cila paska deklaruar që “komunat” qenkan fajtore për pagat e mësimdhënësve, e zakonshme për një praktikante të paaftë që udhëheq këtë ministri”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Sipas tij, bazuar në kompetencat ligjore, çështja e pagave është kompetencë e komunës e bazuar në këtë kompetencë, komunat i kanë proceduar pagat sipas ligjit.

“E nderuara ministre e paaftë, sa për dijeninë tuaj është thesari i shtetit-Ministria për Buxhet dhe Financa që e ka ndaluar ekzekutimin e këtyre pagave, këtë fakt është dashur ta dini”, shtoi ai.

Ndryshe, Nagavci ka thënë se në takimet me Sindikatën e Arsimit, kanë diskutuar në lidhje me kompensimin e pagave nga vetë sindikata, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sipas saj, ligji e ndalon kompensimin për punëtorët që kanë qenë pjesë e grevës.

“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”, ka thënë ajo.

“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka vijuar ajo.

E para e arsimit ka bërë të ditur se me kërkesë të ministrit të Financave, Hekuran Murati, Ministria e Arsimit i ka dërguar të dhënat e tyre për punëtorët e arsimit që nuk kanë qenë pjesë e grevës, për t’ua proceduar pagat.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të hënën, ka bërë të ditur për Rtv Dukagjinin se pagat për punëtorët e sektorit publik, për muajin shtator, janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.

Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevsitëve përcaktohet me ligjin për greva.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.

Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data pesë tetor e këtij viti.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika