Deçani kundërshton aktgjykimin në Hagë, Sutaj kërkon hapa konkretë nga institucionet

Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur sot një mbledhje urgjente, në të cilën ka kundërshtuar aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se duke pasur parasysh se Gjykata Speciale është thirrur në emër të popullit në rastin e dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, përfaqësuesit komunalë kanë konsideruar se ky vendim nuk është në emër të qytetarëve të Deçanit dhe Kosovës.

Sutaj tha se Kuvendi Komunal dhe kryetari i komunës kanë dhënë deklaratë kundërshtuese ndaj aktgjykimit, ndërsa theksoi se, për shkak të vonesave të Kuvendit të Kosovës për të ndërmarrë hapa konkretë lidhur me aktgjykimin, Deçani ka vendosur të shprehë qëndrimin e tij edhe në nivel lokal.

“Duke pasur parasysh që Gjykata Speciale është thirre në emër të popullit në dënimin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke kundërshtuar fuqishëm këtë vendim dhe duke qenë përfaqësues të drejtpërdrejtë të qytetarëve – anëtarët e Kuvendit Komunal të Deçanit dhe kryetari i komunës kemi dhënë deklaratën që ai dënim nuk është në emër tonë e as në emër të qytetarëve tanë e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu meqë Kuvendi i Kosovës është vonuar shumë me thirrjen e seancës për të ndërmarrë hapa konkret lidhur me aktgjykimin dënues të ish-krerëve të UÇK-së kemi marrë këtë vendim si komunë edhe pse në nivel lokal të shprehim qëndrimin kundërshtues dhe duke u bërë thirrje konstitucioneve që të ndërmarrin masa konkrete kundër këtij aktgjykimi”, u shpreh Sutaj.

Të fundit nga rubrika