Dehari: Nëse ka marrëveshje politike, vazhdimi i seancës bëhet “formalitet ceremonial”

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka thënë se vazhdimi i seancës konstituive do të ishte vetëm një “formalitet ceremonial” nëse partitë politike arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve.

Dehari ka theksuar se një marrëveshje e tillë do të duhej të vinte në përputhje edhe me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, u ka bërë thirrje palëve që të merren vesh në vend të tentativave të përsëritura pa rezultat.

“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.

Ai ka shtuar se, në vend të seancave që nuk prodhojnë rezultat, marrëveshja politike do të ishte rruga për krijimin e institucioneve stabile dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Dehari ka rikujtuar se më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte theksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda një afati prej 30 ditësh, i cili, sipas tij, nënkuptonte se konstituimi duhej të përfundonte më së largu deri më 26 korrik 2025.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri me datën 26 korrik 2025”, ka shkruar Dehari.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar, kur u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja e tyre ishte se “nevojitet marrëveshje politike”.

Sipas Deharit, edhe kërkesat e partive opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit kishin qenë që marrëveshja politike të arrihej para formimit të institucioneve, në të kundërtën, vendi do të shkonte në zgjedhje.

“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, ka deklaruar ai.

Dehari ka theksuar se, në momentin kur të ketë sinjale për një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte, sipas tij, vetëm një formalitet.

“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.

Të fundit nga rubrika