Dehari paralajmëron për konflikt fizik në Kuvend: Pa marrëveshje politike, situata mund të përshkallëzohet

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e situatës institucionale në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Dehari ka thënë se zhvillimet e para tri ditëve në Kuvend dëshmojnë se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund ta tensionojë edhe më tej situatën.

“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari.

Ai ka mirëpritur qëndrimin e ri të LDK-së, si dhe ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar partive politike.

Sipas Deharit, Kosovës i nevojiten përgjegjësi politike, dialog dhe një marrëveshje që do ta zhbllokonte situatën dhe do të garantonte funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.

“Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual”, ka deklaruar ai.

Dehari ka paralajmëruar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar ai.

Në fund, Dehari ka kujtuar se qytetarët e Kosovës janë thirrur të votojnë tri herë gjatë dy vjetëve të fundit, duke kërkuar që tash përgjegjësinë ta marrin përfaqësuesit politikë.

“Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Dehari.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika