Dehari përsëri: “Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca”
Shpejtësia e veturave për të hyrë brenda hapësirave të Kuvendit është e madhe. Por, kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kreu i partisë më të madhe në vend, Albin Kurti, njëjtë nuk po mund të veprojë edhe me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ani pse deputetë nga partia e tij thonë që ai ka bërë mjaftueshëm […]
Shpejtësia e veturave për të hyrë brenda hapësirave të Kuvendit është e madhe.
Por, kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kreu i partisë më të madhe në vend, Albin Kurti, njëjtë nuk po mund të veprojë edhe me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ani pse deputetë nga partia e tij thonë që ai ka bërë mjaftueshëm dhe është opozita ajo që po bllokon.
“Është munduar që përmes metodave të ndryshme, të flasë me të gjitha subjektet politike, duke i thirrur në takim ata fillimisht, e pastaj duke propozuar edhe një formë tjetër të votimit – atë të komisionit, ku mund të votohet kryetarja e Kuvendit në formë të fshehtë”, ka deklaruar Arbër Rexhaj, Deputet i LVV-së.
Njëjtë është edhe për kandidaten e propozuar.
Ndërkaq, derisa po hynte në tentimin e 32-të të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq tha që nuk ka vija të kuqe me askënd.
“Ende është herët që të pritet. Kam thënë edhe më herët që kandidatin për kryetar të Kuvendit e propozon Vetëvendosje. Ka disa muaj që po merremi me këtë problematikë, kështu që kur të vijë koha, flasim… Vetëm parimet, vija të kuqe nuk ekzistojnë”, k atheksuar Nenad Rashiq, deputet i Kuvendit të Kosovës.
E vota e 61 për këdo, thotë se do jetë Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.
“Secili mandatar që i siguron 60, e ka edhe votën time për interes të shtetit, dhe nuk jam bllokues. Të ecim përpara, kjo nuk ka kuptim. Kjo është bërë rutinë, por çfarë është mjaft, është mjaft”, ka deklaruar Veton Berisha, Partia Liberale Egjiptiane.
Kur seanca brenda filloi, dihej si do të përfundonte.
“45 deputetë kanë dhënë votën për, kundër 1 deputet, abstenim nuk ka. Nuk kemi kourum, ndërpritet seanca”, ka deklaruar Avni Dehari.
Kësaj radhe, Paris Guri nga LDK prishi traditën që PDK të flasë e para pas dështimit të seancës.
“Kryeministri në detyrë, partia Vetëvendosje, përveç që nuk ka interes në zhbllokimin e kësaj situate, ata tashmë nuk kanë interes as për pjesëmarrje në seancën e Kuvendit”, ka theksuar Paris Guri, deputet nga LDK.
E pikërisht me LDK-në e kishin nga LVV-ja këtë të dielë, duke i kritikuar për mosbashkëpunim.
“Ne kemi bërë një ofertë politike për ta kaluar krizën edhe të Kuvendit edhe të Qeverisë. LDK e ka refuzuar atë. Për mua është e pakuptimtë se cilat nga pikat që ka ofruar LDK nuk paska mundësi t’i implementojë pa PDK-në”, ka dekaruar Dimal Basha, deputet i LVV-së.
E këta të fundit, po kërkojnë ndihmë nga presidentja.
“Në këtë rast, zgjidhja e vetme është që LVV të reflektojë, mirëpo në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje edhe presidentes që të marrë një rol më aktiv, sepse në kuadër të kompetencave të saj është edhe mbarëvajtja dhe funksionimi demokratik i institucioneve”, ka deklaruar Vlora Çitaku nga PKD-ja.
Seanca e radhës është të martën në ora 11:00.















