Në mandatin e tij të parë, bujë bëri marrëveshja e Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë.

E Trump, duket se do të merret edhe në mandatin e dytë me këto dy shtete të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka shkruar dje në lidhje me çështjen ende të pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, teksa paralajmëroi që do të punojë për ta rregulluar këtë raport, pas gabimeve të administratës Biden, sipas tij.

Sipas analistit politik, Belgzim Kamberi, nuk dihet se nga doli tani kjo temë, meqë sipas tij Ballkani ishte lënë pas dore pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit Ukrainë-Rusi.

Belgzim Kamberi, Analist Politik tha se “Ajo që është dukur muajt e fundit, ishte që SHBA-të pak a shumë kishin një tërheqje nga Ballkani Perëndimor, e veçanërisht nga kriza Kosovë-Serbi. Kjo deklaratë e z. Trump është një lloj befasie.

Kamberi thotë se më e rëndësishme do të jetë se me çka do të merret Trump.

Belgzim Kamberi, Analist Politik shtoi se “Mbetet të shihet se çka nënkupton ai me marrëveshje të re, apo me marrëveshjen Kosovë-Serbi. Pra, në njërën anë: a kemi kontekst aktualisht, duke e ditur që nuk kemi qeveri legjitime në Prishtinë, vizat e legjitimitetit në Beograd, pra, me cilët aktorë do të bëjë marrëveshje”.

Ndërkaq, profesori universitar Gëzim Qerimi thotë se është e rëndësishme të komunikohet dhe të dëgjohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nëse kërkesa është kthimi në dialog, atëherë duhet të ndodhë.

Gëzim Qerimi, Profesor Universitar deklaroi se “Interesimi i z. Trump është pozitiv, sepse vetëm SHBA-të janë ato që mund ta bindin Serbinë që të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi me një njohje reciproke. Vlerësoj se Qeveria e Kosovës duhet të jetë konstruktive, sepse dihet që partneri numër një i Kosovës janë SHBA-të”

Trump tha gjithashtu se kishte parandaluar edhe një konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë në mandatin e tij të parë.