Deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me tone kërcënuese ndaj Kosovës nuk janë shoqëruar me reagime publike nga ambasadat e vendeve të QUINT-it – Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.
Koha ka bërë të ditur se u ka dërguar pyetje ambasadave të këtyre shteteve për të mësuar nëse i konsiderojnë shqetësuese deklaratat e Vuçiqit dhe nëse Serbia mund të përballet me pasoja, por deri në fund të ditës së hënë nuk kishte marrë përgjigje.
Edhe NATO ka refuzuar të komentojë deklaratat e presidentit serb. Në një përgjigje për mediumin, Aleanca ka theksuar se nuk komenton deklaratat e bëra nga udhëheqës apo zyrtarë individualë.
Vuçiq, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë, u bëri thirrje atyre të jenë të gatshëm të mbrojnë “tokën e shenjtë”, duke iu referuar Kosovës, për të cilën tha se është pjesë e Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”. Ky diskurs është krahasuar me retorikën e përdorur gjatë viteve ’90 nga ish-presidenti serb Slobodan Millosheviq.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë vetëm dy javë pasi ministrja serbe Snezhana Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do të kryente spastrim etnik në Kosovë. Edhe pse kjo deklaratë u dënua nga përfaqësues ndërkombëtarë, autoritetet serbe nuk ndërmorën masa ndaj saj, ndërsa Vuçiq dhe zëvendëskryeministri Ivica Daçiq e mbrojtën publikisht.
Në Kosovë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim pavarësisht retorikës së Beogradit.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, bëri të ditur se këtë çështje e ka ngritur në takim me ministrin e deleguar për Evropën në Qeverinë e Francës, Benjamin Haddad.
Sipas Konjufcës, retorika që justifikon ose relativizon krimet e viteve ’90 është e papranueshme dhe bie ndesh me vlerat evropiane.
“Retorikat që justifikojnë ose relativizojnë krimet e viteve ’90 janë jo vetëm provokim, por edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e paqes, demokracisë dhe qytetërimit. Paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare ka reaguar për çështje të tjera në Kosovë, përfshirë rrënimin e objekteve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit dhe dekretin për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
