Deklarimi i pasurisë: Çfarë kanë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë publike deklarimet e pasurisë për vitin 2024, të cilat janë publikuar së fundmi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Presidentja Osmani, bashkë me bashkëshortin, ka deklaruar një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një garazh prej 6 mijë euro, një shtëpi […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë publike deklarimet e pasurisë për vitin 2024, të cilat janë publikuar së fundmi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Presidentja Osmani, bashkë me bashkëshortin, ka deklaruar një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një garazh prej 6 mijë euro, një shtëpi me vlerë 170 mijë euro, tokë prej 35 mijë euro, si dhe dy banesa në varg – njëra e përbashkët me vlerë 190 mijë euro dhe tjetra në Australi me vlerë 510 mijë euro. Kjo e fundit, sipas deklarimit, është blerë me mjete të përfituara nga shitja e shtëpisë së bashkëshortit në Australi, trashëgimia nga prindërit e tij, kursime dhe hua familjare.
Përveç këtyre, Osmani ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 10 mijë euro në emër të bashkëshortit, si dhe dy kredi – një prej 40 mijë euro dhe një tjetër prej 16 mijë euro. Ajo ka pasur të ardhura neto vjetore prej 33,104 euro, ndërsa nga mëditjet për udhëtime zyrtare ka përfituar mbi 11,500 euro. Bashkëshorti i saj ka raportuar pagë vjetore prej 11,068 euro, të ardhura nga qiraja në Australi prej 12,500 euro, si dhe mbi 19 mijë euro nga një vendim gjyqësor në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar një rritje të lehtë të kursimeve bankare – nga 1,500 në 1,800 euro. Ai vazhdon të jetojë me qira 250 euro në muaj. Të ardhurat e tij neto për vitin 2024 kanë qenë 20,278 euro, ndërsa bashkëshortja ka pasur pagë vjetore prej 44 mijë euro.
Në pronësi të bashkëshortes është deklaruar një banesë 67 m² me vlerë 400 mijë euro, e blerë përmes një kredie që përfundon në vitin 2052. Kurti ka deklaruar gjithashtu 15 mijë euro të gatshme në emër të gruas.















