Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të dyshuar për kallëzim të rremë në Ferizaj.

Sipas njoftimit zyrtar, më 2 korrik 2025, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur një 55-vjeçar me inicialet R.E., shtetas i Maqedonisë së Veriut me banim në Gjermani. Ai ka raportuar se në këtë qytet i është vjedhur një veturë me vlerë të deklaruar prej 130 mijë eurosh.

Por, zyrtarët pas hetimit kanë konstatuar se ankuesi nuk kishte qenë me veturën e deklaruar dhe se kishte tentuar ta mashtronte sigurimin e lëshuar nga autoritetet gjermane.

Policia ka kërkuar mbështetje nga autoritetet gjermane dhe të Maqedonisë së Veriut për lokalizimin e veturës. I dyshuari është thirrur për intervistim, por sipas PK-së, ai nuk është paraqitur ende.

“Pas veprimeve hetimore dhe shqyrtimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se ankuesi nuk kishte qenë fare me veturën e deklaruar, duke ngritur dyshime të arsyeshme për kallëzim të rremë. Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë keqpërdorimi apo mashtrimi i sigurimit, të lëshuar nga autoritetet gjermane”, njoftoi PK.