Delegati i Emirateve të Bashkuara ia dorëzon Khameneit një letër nga Trumpi, njofton Irani

Irani tha të mërkurën se një delegacion i udhëhequr nga një figurë e lartë e Emirateve të Bashkuara Arabe ia ka dorëzuar liderit suprem të republikës islamike, Ayatollah Ali Khamenei, një letër të dërguar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, i tha agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve, ISNA, se Anwar Gargash, këshilltari diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, e përcolli letrën.

Javën e kaluar, Trump tha se i kishte shkruar letër liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke propozuar bisedime për të arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.

“Nuk mund t’i lejojmë ata të kenë ndonjë armë bërthamore”, tha Trump, duke shtuar se “diçka do të ndodhë shumë shpejt”.

“Shpresojmë se do ta kemi një marrëveshje për paqe” tha ai, me sa duket duke iu referuar një zgjidhjeje paqësore të tensioneve rreth programit bërthamor të Teheranit.

“Po them thjesht se do të preferoja një marrëveshje paqeje sesa alternativën tjetër. Por alternativa tjetër do ta zgjidhë problemin”, shtoi ai.

Khamenei është kundër bisedimeve të drejtpërdrejta me administratën e Trumpit dhe tha pas njoftimit të presidentit javën e kaluar se Teherani nuk do të bisedojë me “qeveri ngacmuese”.

“Bisedime të tilla nuk kanë për qëllim zgjidhjen e çështjeve. Qëllimi i tyre është të ushtrojnë dominim dhe ta imponojnë atë që duan”, tha Khamenei gjatë një fjalimi për Ramazanin më 8 mars.

Pa e përmendur drejtpërdrejt SHBA-në, ai tha se “qeveritë ngacmuese” nuk janë të fokusuara vetëm në programin bërthamor të Iranit, por gjithashtu “bëjnë kërkesa të reja” që synojnë aftësitë mbrojtëse dhe aktivitetet rajonale të republikës islamike.

“Bisedimet janë një mjet për të imponuar kërkesa të reja. Irani nuk do t’i përmbushë kurrë këto kërkesa të reja”, tha Khamenei.

Lideri iranian e ka akuzuar Trumpin për mungesë besimi pasi ai e tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje historike bërthamore në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet që ishin hequr në kuadër të saj.

Pasi e anuloi marrëveshjen në 2018, Trump mirëpriti një ofertë nga kryeministri i atëhershëm japonez, Shinzo Abe, për të ndërmjetësuar dhe në 2019 i kërkoi kryeministrit japonez t’i dorëzonte një letër Khameneit. Lideri iranian e refuzoi letrën, duke thënë se ajo “nuk ishte e denjë” për t’iu përgjigjur.

Rusia, e cila është një nga nënshkrueset e marrëveshjes fillestare bërthamore, ka shprehur interesim për të ndërmjetësuar bisedimet midis Teheranit dhe Uashingtonit, megjithëse shumë kanë vënë në dyshim nëse Moska mund të jetë ndërmjetës i paanshëm.

Duke iu referuar bisedimeve të Moskës me Uashingtonin, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se programi bërthamor iranian është diskutuar dhe se Trump e ka bërë përfundimin e mbështetjes së Teheranit për përfaqësuesit e tij “parakusht për një marrëveshje të re bërthamore”.

Ndërkohë, Kina ka njoftuar se do të presë një takim trepalësh me Iranin dhe Rusinë më 14 mars dhe në mesin e temave do të jetë edhe “shkëmbimi i pikëpamjeve mbi çështjen bërthamore iraniane”./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

26 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes në Paris

Sot bëhen 26 vjet që nga dështimi i arritjes së ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë në Paris. Delegacioni kosovar dhe ai serb...

Nënshkruhet Deklarata për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

Në Tiranë, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes që thekson angazhimin e tri shteteve për forcimin...

Për nder të 31-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në kohët e vështira për librin dhe kulturën, me iniciativën e një grupi krijuesish e intelektualësh, shtëpia botuese...

Të fundit nga rubrika