Deliu-Kodra: Kosova po rrëshqet në një regjim frikësimi, fajtor qeveria Kurti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës Reporterët pa Kufij, i cili e rendit Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e shprehjes në vitin 2025, duke shënuar një rënie drastike prej 43 vendesh në dy vjet. Në një konferencë për media, ajo e quajti […]
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës Reporterët pa Kufij, i cili e rendit Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e shprehjes në vitin 2025, duke shënuar një rënie drastike prej 43 vendesh në dy vjet.
Në një konferencë për media, ajo e quajti këtë regres “momentin më të errët në historinë e Kosovës” dhe akuzoi qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje për ndërtimin e një “regjimi linçimi dhe frikësimi”.
Deliu-Kodra theksoi se kjo rënie nuk është rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të qeverisë aktuale që, sipas saj, targetojnë çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale, përmes një makinerie propagandistike.
Sot, të dhënat e publikuara nga Reporterët pa Kufij e rendisin Kosovën në vendin e 99 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes. Kjo është renditja më e ulët në historinë e Kosovës. Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi 56 në vitin 2023, në vendin 75 në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes. Ata që erdhën në emër të ndryshimit, po e katandisin Kosovën në vend të frikës dhe heshtjes. Këtë rënie e kemi ndjerë të gjithë. E kanë ndjerë gazetarët që janë sulmuar. E kanë përjetuar qytetarët që janë linçuar. E kanë përballuar aktivistët dhe profesionistët që janë shpifur publikisht vetëm pse guxojnë të mendojnë ndryshe. Rënia e nivelit të lirisë së mediave, nuk është rrëshqitje por rrënim i qëllimshëm. Vetëvendosje ka ndërtuar një regjim linçimi dhe frikësimi. Sulme të koordinuara, të orkestruara, me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Në prag të 3 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit – Deliu-Kodra shprehu mirënjohje për gazetarët dhe redaksitë e mediave për punën dhe guximin e tyre profesional.
“Dhe nëse dikur kemi qenë dakord për një gjë me Albin Kurtin – ka qenë kjo: që Aleksandar Vuçiq është autokrat. Por sot, kur Kosova renditet më keq se Serbia në lirinë e shprehjes – duhet të pyesim me zë të lartë: Nëse liria e fjalës në Kosovë është më e kufizuar se në Serbi, atëherë çfarë i bie të jetë Albin Kurti? Kjo është pyetje që e sfidon ndërgjegjen e çdo qytetari. Kjo është pasqyra ku secili nga ne duhet ta shohë realitetin. Në fund të fundit, një pushtet që frikësohet nga fjala, është një pushtet që e di se nuk ka të drejtë. Dhe çdo pushtet që nuk ka të drejtë, nuk ka të ardhme. Ne jemi këtu për ta thënë këtë të vërtetë. Dhe do ta themi çdo ditë. Derisa e vërteta të bëhet pushtet. E fjala e lirë të bëhet sërish themeli i Republikës”, tha deputetja e PDK-së”, ka shtuar Deliu-Kodra.















