Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka deklaruar se takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nuk ka sjellë asnjë rezultat konkret në drejtim të formimit të institucioneve.
Demaku, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se PDK ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim të qartë para qytetarëve, duke vënë në plan të parë interesin e vendit dhe përgjegjësinë ndaj votuesve teksa shtoi se nuk dëshiron të paragjykojë qëllimin e ftesës së bërë nga Kurti, por se, sipas tij, bëhet fjalë për një qasje të përsëritur nga kreu i Vetëvendosjes.
“Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një qëndrim të qartë para publikut në vazhdimësi se do të qëndrojë para asaj se do të jetë para përgjegjësisë edhe ndaj votuesit se do të jetë gjithmonë përpara për interesin e vendit dhe interesave të qytetarëve. Në këtë frymë ka qenë edhe takimi i sotëm, pa dashur të dilet nga koncepti i asaj se me çfarë qëllimi ka dashur zotëri Kurti t’i ftojë. Nuk kemi të bëjmë me diçka të veçantë pasi nëse kthehemi në kohë gjatë qeverisjes së Kurti këto janë në vazhdimësi ‘potezat’ e tij të njëjta dhe lëvizjet e njëjta gjithherë në funksion të qëllimeve të tij dhe grupit që përfaqëson dhe jo në interesin e përgjithshëm të vendit e qytetarëve për formimin e institucioneve. Në këtë frymë kështu e kam parë pasi edhe takimi i sotëm ka kaluar pa asnjë lloj ecje përpara vetëm se më tepër ishte për t’u dukur para publikut dhe qytetarëve”, u shpreh Demaku.
Sipas tij, nga informacionet që posedon, takimi nuk ka prodhuar asnjë marrëveshje konkrete, pasi PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë koncepte të ndryshme për zhvillimin e vendit, ekonominë dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Demaku theksoi se respekton plotësisht qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryetarit Bedri Hamza, por shtoi se personalisht nuk sheh mundësi për bashkëpunim politik me Vetëvendosjen.
“Nga ajo që di unë është se nga takimi nuk ka pasur asgjë konkrete pasi siç dihet ne kemi koncepte të ndryshme për zhvillimin e vendit dhe në të gjitha aspektet jemi të ndryshëm dhe kemi koncepte të kundërta me Kurtin dhe VV-në në ecjen përpara e zhvillimin e vendit, në raport me Shtetet e Bashkuara e zhvillimin ekonomik. Duhet ta bëjë të qartë se i respektoj qëndrimet e PDK-së dhe kryetari Bedri Hamza ndërsa për mua është e qartë pasi nuk shoh gjuhë përparimi e ecje përpara me Lëvizjen Vetëvendosje pasi e njëjta deri tani dhe në vazhdimësi është e dëmshme për vendin. Në asnjë rrethanë nuk do të kenë votën time pasi besoj se Vetëvendosje nuk është për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam vërtetuar ndër vite me qeverisjen e tyre”, u shpreh Demaku.
Demaku, mes tjerash, u shpreh se duke parë qasjen e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, nuk sheh të ardhme në formimin e institucioneve.