Verdikti që Specialja u shqiptoi bashkëluftarëve, i bëri bashkë edhe një herë tjetër.
Organizatat e dala nga lufta, një ditë pas Hagës, diskutuan hapat për të kundërshtuar aktgjykimin dënues për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikat e rendit të ditës e vendimet që u morën në takimin me dyer të mbyllura u shpalosën pas një ore e gjysmë, në konferencë për media.
“Ju bëjmë me dije që në takimin që e mbajtëm pak më herët morëm vendim që të thërret protestë gjithëpopullore nesër në orën 12:00 në sheshin “Skenderbeu””, ka thënë Syla.
Syla bëri të ditur edhe vendimet tjera që morën.
“Kësaj padrejtësie shoqatat e dala nga lufta do t’i përgjigjen me një iniciativë me krijimin e një këshilli koordinues kombëtarë dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria e shqiptarët tjerë që punojnë në vise tjera”, ka shtuar Syla.
Xhavit Jashari nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve pati edhe një thirrje.
“Do tu bëj thirrje edhe atyre familjeve që të reagojnë, në këtë rast i bëj thirrje të Bejadin Hallaqit i cili në të gjitha dokumentet që posedon shoqata është dëshmor i kombit”, ka thënë Jashari.
Nga Ogranizata e Veteranëve të Luftës kanë bërë thirrje që protesta e së premtes të jetë e qetë dhe paqësore.