Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për rastin e sulmit në Banjskë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.
Të tre të dënuarit ishin akuzuar për përfshirje në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Gjatë përleshjes së armatosur u vranë edhe tre sulmues.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj gjithsej 45 personave. Tre të dënuarit ishin pjesë e këtij grupi, ndërsa shumica e të akuzuarve të tjerë ndodhen në arrati, respektivisht në Serbi.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e kishte marrë publikisht Millan Radojçiq, i cili së bashku me dhjetëra të dyshuar të tjerë vazhdon të jetë në arrati.