Sllavisha Filliq është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 15 vjet burgim nga gjykata.

Ai është gjykuar në mungesë për keqtrajtimin e Hafir Shalës gjatë luftës në Kosovë.

Filliq, ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, ngarkohej se më 10 prill 1998, së bashku me dy zyrtarë tjerë serbë të paidentifikuar, kishte ndaluar një veturë në Drenas ku ndodheshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe doktori Hafir Shala.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shtator 2023, të pandehurit, të veshur me rroba civile, kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku ai ishte rrahur dhe torturuar.

Viktima, Hafir Shala, ende vazhdon të jetë i zhdukur.

Për këto veprime, Sllavisha Filiq nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas nenit 142 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të RSFJ-së.