Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtore Aurona Pelajn për sulmin ndaj një të moshuare në një shtëpi të kujdesit në Pejë, rast që kishte ndodhur në vitin 2022, kur ajo ishte e angazhuar si infermiere në këtë institucion.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, Pelaj është dënuar me 2 vjet e tre muaj burgim për veprën penale “Sulmi”.
Sipas gjykatës, Pelaj e kishte kapur të moshuarën për të dyja duart, ia kishte kufizuar mundësinë e mbrojtjes, e kishte mbështetur për muri dhe e kishte goditur disa herë me shuplaka në fytyrë.
Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha që ajo ka kaluar në paraburgim, nga 2 nëntori 2022 deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Përveç dënimit me burg, gjykata i ka shqiptuar Pelajt edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të infermieres për pesë vjet, afat që fillon të llogaritet nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.
Ndërkaq, për dy të akuzuarat e tjera në këtë rast, të cilat akuzoheshin për bashkëkryerje, Gjykata ka marrë vendim lirues.
Asnjëra nga të akuzuarat nuk ishte e pranishme në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit.