Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari që kanosi deputeten Kusari-Lila

I akuzuari u dënua me 400 euro gjobë pasi paraprakisht me pëlqimin e tij dënimi me burgim prej 120 ditësh i është shndërruar në gjobë prej 400 për veprën penale "Kanosje"

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 400 euro gjobë Emin Latin, i cili akuzohet se ka kanosur dhe ka përhapur gjuhë të urrejtjes ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten nga gjykatësi i rastit Driton Berisha derisa prezentë ishte vetëm mbrojtësi i të akuzuarit Lati, Agon Rrecaj kurse munguan e dëmtuara dhe përfaqësuesi i saj.

Emin Lati ngarkohet me dy vepra penale, për “kanosje” dhe për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

I akuzuari u dënua me 400 euro gjobe pasi paraprakisht me pëlqimin e tij dënimi me burgim prej 120 ditësh i është shndërruar në gjobë prej 400 për veprën penale kanosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nëse i njëjti nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë atëherë mund te mbajë dënimin me burgim ku për një ditë burg do t’i llogaritet 20 euro.

Dy ditë më parë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari – Lila, e ka konsideruar shqetësues vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka njoftuar sot se tashmë i akuzuari Emin Lati, ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë për kanosjen ndaj saj.

Në një lidhje direkte në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini, Kusari-Lila kishte thënë se i akuzuari Lati ka pranuar veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa ka shtuar se prokuroria ka hequr dorë për veprën tjetër penale, atë të “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

“Ditë më parë është prezantuar avokati im me një marrëveshje të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me të pandehurin pa asnjë informatë paraprake për mua si e dëmtuar në rast. I pandehuri ka qenë i akuzuar për dy vepra penale, ‘nxitje e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe ‘kanosje’, e prokuroria e vendosi që ta largojë nga kjo vepër penale duke e akuzuar vetëm për kanosje”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila, pas pranimit të kësaj kërkese të prokurorisë nga gjykata, ka thënë se është shqetësuese se si trajtohen kërcënimet ndaj grave, sidomos në një deklarim publik.

Ajo ka kritikuar gjykatën se ia privoi të drejtën bazike që të bëjë pyetje ndaj të pandehurit.

“Jam shumë e shqetësuar për secilën grua që nuk ka zë të prezantojë padrejtësitë që i bëhen, e pashë cfarë bëhet kur përballesh vetëm me një rezultat të arrirë në mënyrë që i pandehuri të mos përballet as me pyetje të prokurorit e gjykatësit. Me këtë vendim, gjykata ma mohoi të bëj pyetje të drejtpërdrejta të pandehurit. Më privuan nga e drejta ime bazike që të bëj pyetje ndaj të pandehurit”, ka vijuar ajo.

E dëmtuara, Kusari-Lila, ndër të tjera tha se nga i akuzuari Lati nuk e ka ndier asnjë moment reflektimin lidhur me veprën penale që e ka konsumuar, dhe se sipas saj, pikërisht gjuha e përdorur ka pas qëllim nxitje të urrejtjes dhe sulmin eventual fizik ndaj saj.

Sipas aktakuzës, Lati akuzohet se në emisionin “Frontal”, në “T7”, në korrik të 2023-ës, ka kanosur Kusari-Lilen, e cila është edhe shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Sipas aktakuzës, në emisionin televiziv kishte thënë se: “Jena ligë na veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”.

Veç kësaj, Lati akuzohet edhe se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje ndaj deputetes Kusari-Lila në mënyrë që të prishë rendin publik.

Aktakuza ndaj Latit është ngritur më 11 janar 2024 nga prokurorja Rukije Sheshivari.

Në Polici, Lati kishte thënë se ka deklarimet në emisionin Frontal i ka pasur emocionale. Ai ka thënë se ishte ndier i ofenduar dhe keq emocionalisht kur kishte dëgjuar përgjimet e Mimoza Kusari-Lilës me një deputet serb që ka folur për heqjen e veteranëve nga ligji për pagën minimale.

Kusari-Lila kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Latit, duke deklaruar para organeve të hetuesisë se qenë periudhë sfiduese për sigurinë e saj dhe të familjes së saj pas deklaratave të Latit.

“Deklaratat e tilla po që ka ndjellë dhunë, ka bërë thirrje për cenimin e integritetit tim fizik, dhe si e tillë jam e bindur se duhet të sanksionohet me të gjitha masat ligjore në mënyrë që si praktikë të mos persëritet ndaj askujt…”, kishte deklaruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka deklaruar se ndjehet e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklaratat publike të Latit.

Shija e redaktorit

Melinda Ademi publikon projektin e ri “Kiss me”

Këngëtarja e njohur, Melinda Ademi, ka publikuar projektin e saj më të ri me titullin “Kiss Me”. Kënga e publikuar është me melodi dhe tekst...

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

Të fundit nga rubrika