Departamenti i Shtetit falënderon Kosovën: Qëndrim i qartë kundër terrorizimit për vendim ndaj IRGC-së

Byroja e Kundërterrorizmit në kuadër të Departamentit të Shtetit ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit organizatë terroriste.

Përmes një postimi në platformën X, kjo njësi e Departamentit të Shtetit ka shprehur mirënjohjen për vendimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.

“E falënderojmë Kosovën për qëndrimin kundër terrorizmit dhe për përcaktimin e IRGC-së si një organizatë terroriste”, thuhet në njoftim.

Autoritetet në Kosovë morën vendimin për ta futur IRGC-në në listën e organizatave terroriste, duke u rreshtuar kështu përkrah aleatëve strategjikë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ky vendim përforcon angazhimin e Kosovës për mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, duke e cilësuar IRGC-në si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën si instrument politik.

Të fundit nga rubrika