Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “urgjentisht dhe seriozisht” të angazhohen për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga dialogu.

“I mirëpresim takimet e zhvilluara për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë që do të sigurojë marrëdhëniet e tyre paqësore dhe produktive dhe do të përmbushë aspiratat e tyre për anëtarësim në bllok. I mirëpresim takimet e zhvilluara për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet tutje.

Ndryshe, të premten e 27 tetorit, Kosovës iu bë thirrje për nisje të procedurave për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Kështu është thënë në një komunikatë të publikuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në letrën publike të lëshuar nga tre liderët evropianë.

Ata e kanë publikuar këtë komunikatë një ditë pas takimeve që kanë zhvilluar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, në margjina të samitit të BE-së.

Në këto takime kanë marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në komunikatë, dy vendeve u është bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri në shkurt të këtij viti, por pa nënshkrime.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë, ashtu që dy palët t’i kryejnë obligimet në mënyrë paralele, sipas parimit që palët duhet të bëjnë diçka, për të fituar diçka. Fokusi tani është te avancimi drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte dhe vonesa”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media, se drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë më 21 tetor në Prishtinë është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.

I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.