Deputetë britanikë kërkojnë sanksione ndaj Vuçiqit pas vizitës së tij në Moskë
Një grup prej 26 deputetësh britanikë, të udhëhequr nga deputetja Emma Lewell-Buck, i janë drejtuar me një letër Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, duke kërkuar ndryshim të qasjes ndaj Serbisë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Shkak për këtë reagim ka qenë pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën ushtarake […]
Një grup prej 26 deputetësh britanikë, të udhëhequr nga deputetja Emma Lewell-Buck, i janë drejtuar me një letër Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, duke kërkuar ndryshim të qasjes ndaj Serbisë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Shkak për këtë reagim ka qenë pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën ushtarake të mbajtur në Moskë më 9 maj, përkrah presidentit rus Vladimir Putin.
Në letër, deputetët britanikë e shprehin shqetësimin e thellë për afrimin e Serbisë me Rusinë, duke theksuar se Vuçiq është udhëheqësi i vetëm në rajon që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pavarësisht krimeve të luftës të kryera në Ukrainë që nga viti 2014.
“Vuçiq ka forcuar lidhjet me Putinin dhe ka ndihmuar në destabilizimin e Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe gjithë Ballkanit, në koordinim me Rusinë që synon të shpërqendrojë vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga deputetët.
Ata theksojnë se gjatë qeverisjes së Vuçiqit ka pasur rënie të ndjeshme të demokracisë në Serbi, përfshirë protesta masive dhe kufizim të lirive themelore. Sipas tyre, shpresa e qeverive britanike se përkrahja për integrimin euroatlantik të Serbisë do ta largonte këtë vend nga ndikimi rus ka dështuar.
“Ngjarjet e 9 majit dëshmojnë qartë se Qeveria e Vuçiqit nuk ka synim të shkëputet nga Rusia, përkundrazi, ajo përkrah ideologjinë ultranacionaliste dhe ekspansioniste të ‘Serbisë së Madhe’, që rrezikon paqen në Ballkan”, theksohet në letër.
Deputetët britanikë i bëjnë thirrje qeverisë së tyre që të vendosë sanksione ndaj Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të nxitur edhe aleatët që të ndjekin të njëjtën rrugë.















