Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës plenare që po vijon në Kuvendit e Kosovës u ka kumtuar deputetëve lajmin për vdekjen e akademikut, Rexhep Qosja.
Haxhiu, në nderim të jetës dhe veprës së Qosjes u ka kërkuar deputetëve që të mbajnë një minutë heshtje.
“Sapo e kemi pranuar një lajm të hidhur për ndarjen nga jeta të akademikut, dhe intelektualet Rexhep Qosja. Rexhep Qosja ishte një figurë e shquar e mendimit shqiptar, studiues, shkrimtar dhe veprimtar i palodhur për çështjen kombëtare. Në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij ju ftojmë për një minutë heshtje”, ka thënë Haxhiu.
Kujtojmë se Qosja ndërroi jetë këtë të enjte në moshën 89-vjeçare.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit është mbajtur në prani vetëm të anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje, ndërsa familja nuk do të marrë pjesë në asnjë organizim institucional.
Familja ka kërkuar që të respektohet privatësia në këtë periudhë zie dhe të mundësohet që ata të mbajnë homazhe në qetësi.