Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot sërish në sallën plenare në përpjekjen e 40-të për të përmbyllur procesin e konstituimit të legjislaturës së re, më shumë se katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Seanca e sotme është vazhdim i seancës konstituive që kishte nisur më 15 prill dhe vjen pas një sërë tentimesh të pasuksesshme për të zgjedhur organet drejtuese të Kuvendit, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij institucioni.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që në ditët në vijim të ftojë liderët politikë në takime konsultative për të gjetur një zgjidhje.

Sipas këshilltarit të saj për media, Bekim Kupina, presidentja pret që partitë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën brenda afatit 30-ditor.

Ndërkohë, një takim i zhvilluar më 28 qershor mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësuesve të partive të tjera nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete për zhbllokimin e procesit.