Deputeti boshnjak i Kuvendit të Serbisë, Enis Imamoviq, ka komentuar takimin që ka zhvilluar të shtunën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kanë biseduar për përmbajtjen e planit franko-gjerman.

Në këtë takim që morën pjesë deputet shqiptarë dhe boshnjakë në Kuvendin e Serbisë Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Sulejman Ugljanin.

Ata kanë potencuar që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.

Ndërkaq, Imamoviq ka bërë të ditur se kanë tentuar të bisedojnë edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të diskutuar rreth këtij plani, po, ky i fundit nuk ka pranuar.

“Qëllimi ynë është të flasim me të gjitha palët e interesit dhe vendimmarrësit në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve dhe mundësive në rajon e në këtë drejtim të nisim takime me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Ne do ta përsërisim edhe njëherë gatishmërinë dhe kërkesën për të diskutuar këtë temë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shpresën se ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë pikëpamjet dhe kërkesat tona lidhur me këtë çështje”.

Ai ka thënë se për ta është e rëndësishme që parimet e marrëveshjes franko-gjermane të zbatohen edhe në zgjidhjen e problemeve të komunitetit boshnjak dhe shqiptar në Serbi.

“Si përfaqësues të boshnjakëve, të gjithë qytetarëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ne është e rëndësishme që të zbatohen parimet e marrëveshjes franko-gjermane dhe në zgjidhjen e problemeve të komuniteteve tona në Serbi. Kjo do të thotë se të gjitha të drejtat që serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, apo në Kosovë do t’u garantohen boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi”.