Deputeti kosovar në Parlamentin e Hamburgut: Vendimi i KE-së për vizat i merituar, por i vonuar

    Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian miratoi njëzëri liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës. E për këtë deputeti nga Kosova në Parlamentin e Hamburgut, Sami Musa, ka thënë se është një vendim i merituar, por i vonuar

    Deputeti me origjinë nga Kosova, në Parlamentin e Hamburgut, Sami Musa

    Deputeti me origjinë nga Kosova në Parlamentin e Hamburgut, Sami Musa, është shprehur i lumtur për vendimin e  Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, i cili në mënyrë unanime miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

    “Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Evropës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ky është një vendim shumë i vonuar, por i merituar.

    “Falënderoj të gjithë për punën e bërë në çdolloj forme dhe mbështetje. Unë si deputet i vetëm në Parlamentin e Hamburgut me origjinë nga Kosova, e kam ndjerë detyrim të angazhohem në këtë drejtim. Jam i gëzuar që më në fund gjithçka u mbyll me sukses dhe edhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirshëm në të gjithë Zonën Shengen”, ka thënë tutje ai,.

    Ndër të tjera, Musa ka thënë se do të jetë gjithmonë i angazhuar në çështjet që ndërlidhen me Kosovën dhe se do të jetë zëri i saj kudo dhe kurdoherë.

    Gjatë ditës së enjte, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Kështu ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Demush Shasha.

    Ai ka thënë se tani si procedurë ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje unanime.

    Ndryshe, sot në rend dite në takimin e ministrave të Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian ishte vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

    Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

    Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

    Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.

    Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tri vjet.

    Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.