Deputeti dhe lideri i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Millan Knezheviq, ka rikthyer në diskurs publik një nga narrativat më të ndjeshme politike në Mal të Zi, duke kërkuar hapur rishikimin e vendimit për njohjen e Republikës së Kosovës.
Knezheviq deklaroi se partia e tij do të iniciojë procedura institucionale për tërheqjen e njohjes, ndërsa paralajmëroi organizimin e një tubimi të madh më 10 maj, me qëllim mobilizimin e strukturave partiake dhe mbështetësve për këtë nismë.
Ai pretendoi se mbi 85% e qytetarëve malazezë janë kundër pavarësisë së Kosovës, një shifër e pakonfirmuar nga burime të pavarura dhe që bie ndesh me orientimin euroatlantik të shtetit malazez.
Në deklarimet e tij, Knezheviq theksoi se ka marrë mbështetje të plotë nga organet drejtuese të DNP-së për nisjen e një fushate të gjerë politike, duke përfshirë edhe iniciativa në nivel lokal dhe qendror. Ai paralajmëroi se këshilltarët e partisë do të kërkojnë përfshirjen në rend dite të një deklarate për tërheqjen e njohjes së Kosovës në komunën e Zetës, ndërsa grupi parlamentar do të procedojë edhe një rezolutë në Kuvendin e Malit të Zi, përcell Dukagjini.
Retorika e tij u shoqërua me kritika të ashpra ndaj qeverisë së Millojko Spajiq, të cilën e akuzoi për qëndrim “armiqësor” ndaj Serbisë dhe identitetit serb në Mal të Zi. Ai gjithashtu njoftoi se do të kërkojë mbështetje nga krerë të lartë të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë Patriarkun Porfirije.
Megjithatë, kjo lëvizje po shihet si pjesë e një tendence më të gjerë për rikthimin e narrativave pro-serbe në Mal të Zi, të cilat synojnë të sfidojnë orientimin strategjik të vendit dhe të relativizojnë vendime të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë njohjen e Kosovo si shtet i pavarur.