Deputeti Muja thotë se s’kanë informacion për draftin e Asociacionit që propozoi Rama

Deputeti Armend Muja, para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se linjat e komunikimit janë të shkurtra, andaj sipas tij do të duhej të njoftoheshin paraprakisht

Grupi parlamentar i VV-së, deputetja Fitore Pacolli dhe deputeti Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka konfirmuar se nuk kanë informacion lidhur me draftin e Asociacionit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka përcjellë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Muja, para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se linjat e komunikimit janë të shkurtra, andaj sipas tij do të duhej të njoftoheshin paraprakisht.

Kryeministri Rama ka bërë të ditur në një konferencë për media se dje ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionin dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Rama tha se nuk është konsultuar për këtë draft me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai tha se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa shtoi se edhe ai vetë ka dhënë kontribut.

“Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] con ushtrinë në kufi”, tha Rama.

Ai tha se Kurtin e ka mbështetur në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të vazhdojë ta mbështesë në “rrugën e njohjes së ndërsjellë”.

“Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata i kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, shtoi ai, duke bërë thirrje që Policia e Kosovës të tërhiqet.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj në Ohër më 18 mars.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika