Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas deklarimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka theksuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, është pezulluar nga ana e Francës, sepse sipas tij, ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë e cila “nuk po mbahet”.

Lushaku-Sadriu, në një postim në rrjetin social Facebook, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fjalën e pambajtur dhe ka thënë se kjo do të sjellë dëm për qytetarët e Kosovës.

“Për fjalën e pambajtur të kryeministrit Kurti, po ndëshkohen qytetarët e Kosovës. Tash e tri vite për të gjitha fjalët e pambajtura për politikat e brendshme dhe premtimet e parealizuara dëmin e kanë bartur qytetarët- (edhe) votuesit që besuan në fjalë boshe të një njeriu pa vizion”, ka shkruar ajo.

Po ashtu, ajo ka theksuar se politikanët duhet të mbajnë fjalën e dhënë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, sipas saj, vendimet mund të sjellin vetëm dëm për qytetarët.

“Sot, paskemi marrë edhe faturën e kushtëzimit të liberalizimit nga Franca. Dhuratë kjo, për sjelljet e kryeministrit tonë krenar që diplomacinë e sheh përmes orbitës së retorikës boshe. Kështu, kur politikanët nuk mbajnë fjalën e dhënë në marrëdhënie ndërkombëtare, vendimet u kthehen në dëm qytetarëve, duke i lënë ata të përballen me barrën e pasojave”, ka shkruar tutje Lushaku –Sadriu.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, ka thënë se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.