Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu – Hyseni, e ka mohuar se cështja e dinarit serb është bërë temë në dialog, përkundër që të nesërmen përfaqësues të BQK-së do të shkojnë në Bruksel për të diskutuar me Serbinë.

Ajo në “Five” tha se nëse dinari do të ishte temë në dialog, atëherë s’do shkonin përfaqësuesit e BQK-së, por vetë Albin Kurti apo Besnik Bislimi.

“Dinari nuk është çështje që do të duhej të bëhej temë diskutimi në kuadër të dialogut. Nuk është kthyer, kur në Bruksel BQK flet për këtë cështje, nuk është temë dialogu. Temë dialogu do të ishte nëse do të shkonte kryeministri apo kryenegociatori”, tha ajo.

Sipas saj, një vendim i tillë për ta ndaluar dinarin në praktikë është dashur që të merret shumë më herët.

“Nuk mendoj që Qeveria është ngutur, madje jemi vonuar, sepse një vendim të tillë është dashur ta marrim qëkur është shpallur pavarësia, kanë kaluar vite, por kemi ardhur deri te momenti i vendimit. Analistë të ndryshëm e politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë nuk e kanë kontestuar”, tha ajo.

Sipas saj, miqtë ndërkombëtarë duhet të bashkëpunojnë që çështja e dinarit të mos hyjë si temë në dialog.