Deputetja e VV-së kritikon ashpër BE-në: Toleranca e tyre karshi Serbisë hapi rrugën për sulm terrorist
Deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, në “FIVE” të Dukagjinit, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian. Sipas saj, toleranca që ka pasur BE-ja karshi veprimeve të rrezikshme të Serbisë, ia ka “hapur rrugën” kësaj të fundit për sulm terrorist. “Fakti që është lënë e lirë Serbia të veprojnë në proces të dialogut, si […]
Deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, në “FIVE” të Dukagjinit, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian.
Sipas saj, toleranca që ka pasur BE-ja karshi veprimeve të rrezikshme të Serbisë, ia ka “hapur rrugën” kësaj të fundit për sulm terrorist.
“Fakti që është lënë e lirë Serbia të veprojnë në proces të dialogut, si ka dashur vetë të veprojë, ia ka hapur rrugën Serbisë që të mendojë të organizojë edhe sulme terroriste. Serbia asnjëherë nuk është qortuar, Serbisë asnjëherë nuk i është tërhequr vërejtja, nuk i është vënë presion për veprimet që i kanë bërë… Toleranca karshi Serbisë, për veprimet e rrezikshme që i kanë bërë gjatë gjithë kohës, kanë bërë që Serbia të mendojë të organizojë një sulm terrorist”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
“Pavarësisht se të vetëdijshëm kanë qenë edhe BE-ja e përtej BE-së, që Serbia është një shtet që ka potencial për të shkaktuar një rrezik goxha të madh në Ballkanin Perëndimor. Edhe kjo u konfirmua edhe prej vetë Peter Stanos, pasi këtë e deklaroi presidenti i Ukrainës, i cili tregoi që ka informacione që Rusia po e shfrytëzon Serbinë që të nisë një luftë tjetër në Ballkanin perëndimor. Kjo ka ndodhë për shkak të asaj që Serbia është lënë e lirë të bashkëveprojë me Kinën e Rusinë…”.
Deputetja e VV-së e ka theksuar se nuk e sheh si bashkëfajtore me Serbinë BE-në, në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Nuk thashë që po e bëj bashkëfajtore BE-në, unë e përmenda Stanon, një person specifik që nuk është BE-ja, sepse është përzgjedhur si zëdhënësi i BE-së aty, që del shumë herë e thotë aty, që shumë është ose Borrell ose Lajçak i thotë të thotë. Ndërkohë që në anën tjetër, Borrel ka bërë veprime që s’kanë qenë të koordinuara me shumë shtete tjera të BE-së, që do të thotë edhe nëse Borrell është përfaqësues i politikës së jashtme të BE-së, kjo nuk do të thotë që Borrell vendos dhe Borrell e thotë atë që të gjitha shtetet e BE-së e mendojnë, e aq më pak Lajçaku….”, ka shtuar ajo.
“Stano i gëzohet veprimeve të Serbisë”
Vendimin e Qeverisë së Serbisë prej 1 janarit të viti 2024, të lejojë veturat me targat RKS pa stikers në territorin e saj, e ka mirëpritur BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Dukagjinin ka thënë se pret që Kosova të ndërmarrë një vendim të ngjashëm.
“Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë Stano.
E këtij vendimi të Serbisë “i është gëzuar” Stano, sipas deputetes së VV-së, dhe se çka thotë ai nuk luan rol të madh për të.
“Stano zakonisht ka këso deklarata. Stano i gëzohet, sipas mendimit tim, këtyre veprimeve që i bën Serbia dhe kurdo që bën veprime të tilla Serbia, po besoj Stano mezi pret me dalë në konferencë edhe me tregu që ja një avantazh. Por, me lloj qëndrimesh të Bashkimit Evropian jemi mësuar ne si Kosovë, sidomos, kohëve të fundit, prandaj çfarë thotë Stano nuk luan rol të madh për mua në raport me atë çka thotë fuqitë e mëdha të BE-së. Pikërisht, këto fuqi e kanë presion drejt Serbisë”
Përveç Stanos, ajo ka kritikuar emisarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
“Jemi të vetëdijshëm secili prej nesh që në vazhdimësi këta kanë bërë veprime tendencioze. Veprime që s’kanë përkuar më atë që çka do të duhet të bënte BE-ja. Dhe, pikërisht këto deklarata, qoftë të Stanos, qoftë të Lajçkut, qoftë të Borrelit kohë pas kohe, që ka qenë dorëlëshuar në raport më atë se çfarë ka vepruar Serbia”, ka shtuar ajo.















