Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, teksa vazhdoi dëshminë,  dëshmitari Predrag Dediq, deklaroi se shqiptarët që i kërkuan që ta shiste banesën e tij dhe se i bënë shantazh.

Sipas tij, nëse ai nuk e shet për 8 mijë marka, të nesërmen do e shiste për 5 mijë.

“E plaçkitën, vodhën çdo gjë. Erdhën dhe kërkuan po ashtu t’ua shisja dhe unë ua shita për 8 mijë marka. Shqiptarët që erdhën dhe më kërkuan t’ua shisja më bënë shantazh. Më thanë në qoftë se e shet sot ta blejmë për 8 mijë marka, nesër do ta marrim për 5 mijë marka, kështu që unë e shita për 8 mijë marka atë ditë përmes një shqiptari tjetër. Personit që mundësoi shitjen. i dhashë 500 marka”, ka thënë Dediq.

Ai ka deklaruar se ia ka ditur emrin dhe mbiemrin atij personi, por që tani nuk i kujtohet.

Gjyqtari Christoph Barthe i tha dëshmitarit se Ismet Tara kishte deklaruar se dëshmitari dhe bashkëshortja e tij nuk i kishin thënë atij se Bobani ishte rrëmbyer nga UÇK-ja, por që kishte shkuar në qytet dhe s’ishte kthyer më.

“Zoti Tara pretendon se nuk është e vërtetë që ju i keni thënë atij se është rrëmbyer nga UÇK-ja. Sipas zotit Tara ose ti ose shoqja juaj i keni thënë që djali juaj Bobani është rrëmbyer, shkoi në qytet dhe nga qyteti u zhduk. U zhduk në qytet”, tha gjyqtari Barthe.

Dëshmitari tha se djali i tij ishte zhdukur në prani të nënës së tij.

“Sikurse iu kam thënë, ai u zhduk në praninë e nënës së tij, ata u larguan bashkë. Si ka mundësi që ata lënë nënën vetëm atje dhe morën vetëm djalin”, tha Dediq.

Më pas, iu tha se Ismet Tara pretendon se nuk është e vërtetë që Dediq është mbajtur në stacionin e Policisë dhe më pas është liruar nga ndërhyrjet e KFOR-it.

“Ajo që është e vërtetë është që unë shkova vetë në stacionin e Policisë për t’u interesuar dhe atje më mbyllën. Ishte e vërtetë që kam qenë në burg, më burgosën atje, më mbajtën atje. Dera nuk ishte e kyçur se ishte një zyrë, por u dha urdhër edhe mua më mbajtën të ndaluar atje në stacionin e Policisë dhe pas ca kohe më lanë të ikja nga stacioni i Policisë dhe më shoqëroi një ushtar i UÇK-së dhe më çuan në drejtim të zjarrfikëses, kështu ishte”, u shpreh ai.

Sipas gjyqtarit Barthe, Ismet Tara kishte deklaruar se me Predrag Dediqin dhe bashkëshorten e tij ishin takuar 10-15 herë pas zhdukjes së Bobanit në prani të ndërkombëtarëve. Tha se Tara kishte thënë se prej këtyre herëve, 5 apo 8 raste, takimet kishin ndodhur në stacionin e policisë.

“Nuk jemi takuar më shumë se 3-4 herë. S’ishte nevoja që të takoheshim me atë 15 herë. Nuk është e vërtetë”, tha Dediq.

Së fundi, në pyetje këtë dëshmitar e mori edhe kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, i cili e pyeti se çfarë nënkuptonte me “paraushtarakë, kur fliste për zhdukjen e djalit të tij.

Dediq tha se nuk ishte ushtri tamam, si dhe vetë Ismet Tara i kishte thënë se këta janë paramilitarë.

“S’ishte ushtri tamam. Ishin thjesht persona që kishin veshur vetë uniforma edhe thonin që ishin ushtri. Për mua nuk kishte rëndësi, a ishin ushtri apo paramilitarë. Po Tara më tha, këta janë paramilitarët me këto uniforma”, ka thënë dëshmitari Dediq.

I pyetur se këta ‘paramilitarë’ ishin serbë apo shqiptarë, Dediq ka thënë se vetëm shqiptarë. Seanca e radhës në këtë çështje pritet të mbahet të hënën (6 nëntor 2023).

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi