Dëshmitari i 46-të në gjyqin kundër Thaçit dhe të tjerëve, punëtor i MPB-së së Serbisë
Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Gjatë pyetjeve të avokatit të Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, dëshmitari ka mohuar çdo lidhje të punëdhënësit të tij me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë dëshmisë. Dëshmitari, i […]
Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Gjatë pyetjeve të avokatit të Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, dëshmitari ka mohuar çdo lidhje të punëdhënësit të tij me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë dëshmisë.
Dëshmitari, i identifikuar me kodin W00498 në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka theksuar se merret me trajtimin e çështjeve të emigrantëve në Ministrinë e Brendshme serbe.
Ndërsa, kur u pyet se a është këshilluar nga punëdhënësi i tij lidhur me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë procesit të dëshmisë, kjo gjë është mohuar nga dëshmitari.
“Jo, punëdhënësi im nuk e di që unë sot jam këtu”, ka thënë dëshmitari përpara prokurorit Niko Barling.
Dëshmitari i 46-të, po ashtu, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Barling, ka thënë se edhe pse kishin shpresë që babai dhe vëllai i tij mund të ishin gjallë, ata u gjetën të vdekur.
“Më 2007 na thanë se e gjetën ADN-në e vëllait dhe babës tim. Në qershor shkova i mora eshtrat e tyre”, ka thënë dëshmitari.
Këtë seancë, përmes video-lidhjes është duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.
Dëshmitari po vazhdon dëshminë për pretendimin e tij për “rrëmbim të anëtarëve të familjes” në zonën e Rahovecit.
Para dëshmisë së këtij dëshmitari, Trupi Gjykues, thuhet se ka lëshuar një urdhër gojor duke urdhëruar avokatin Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të Thaçit deri më 11 mars.















