Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka mbaruar dëshminë dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), me kodin 01140, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.

Gjatë kohës sa seanca ishte publike për pak kohë, dëshmitari tha se kur u lirua nga paraburgimi gjendja në Prizren ishte kaos dhe se gjuhej me armë, pasi, sipas tij, kishte civilë të armatosur.

“Kur unë u lirova nga paraburgimi, në qytet ishte kaos, gjuanin me armë. Futeshin nëpër dyqane me forcë e kontrollonin. Unë u fshihesha nëpër qoshe të rrugës dhe kisha fat që kisha veshur pantallona të zeza dhe ngatërrohesha me popullsinë dhe flisja shqip, se ndryshe nuk kisha arritur të shkoja në shtëpi. Kishte civilë të armatosur ato kohë”, tha dëshmitari.

Ai tha se kishte edhe automjete nga Shqipëria që kanë qenë atë kohë në qytet, drejtuesit e të cilëve kanë qenë me rroba civile dhe, sipas tij, gjuanin me armë.

“Kishte edhe automjete nga Shqipëria që erdhën, bërtisnin, qëllonin me armë. Me rroba civile kanë qenë”, tha ai.

Më pas, dëshmitarit iu paraqit një video, për të cilën i njëjti pohoi se e përshkruan situatën e Prizrenit në mes të qershorit të 1999-tës, e cila edhe u pranua në provat materiale.

Ndryshe, seanca e radhës pritet të mbahet më 18 mars 2024./BetimiperDrejtesi