Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes Bislim Ndreci, ka dëshmuar të martën në gjykimin ndaj Salih Mustafës, që është zhvilluar në Hagë.
Ai tha se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në fshatin ku ka jetuar, gjendja e sigurisë ka qenë shumë e rëndë.
Ndreci, para trupës gjykuese ka treguar për formimin siç ka thënë krijimin në mënyrë vullnetare të “Njësisë Barileva”, që i ka takuar Brigadës 153.
“Ka qenë një grup prej 27 ushtarësh dhe jemi rrit çdo ditë aty, dhe e kemi marrë emrin Njësia e Barilevës ku kjo njësi ka qenë në kuadër të Brigadës 153. Kjo njësi e ka pasur udhëheqësin e vet. Njësia është përbërë nga vullnetarët-qytetarët e Barilevës ku komandant ka qenë Isuf Shalaku nga fshati Dardhishtë, komuna Obiliqit”, ka deklaruar ai.
Ndreci shtoi se derisa po lëviznin nga një fshat në një fshat tjetër, 8 persona të paarmatosur ishin vrarë në Barilevë.
“Tre kanë qenë ushtarë, njëri ka qenë profesor Selim Berisha që është vra më 20 mars dhe dy të tjerë. Për të fundit, më kujtohet që është vra më 18 maj, ka qenë komandant togu dhe për të dytin mes 20 marsit dhe 18 majit, por saktë më vjen keq nuk e mbaj mend”, shtoi ai.
Dëshmitari Ndreci po ashtu ritheksoi vdekjen e dy personave të tjerë, Bedri Kurti dhe një person me mbiemrin Kaçiu.
“Po, këta kanë vdekur më 12 prill, sepse aty ku ne rrinim në lagjen Barileva në Vërbovc, diku rreth orës 12:30 na kanë lajmëruar se po afrohen forcat serbe rreth lagjes. Ne jemi mobilizuar shumë shpejtë, e kemi largu popullatën e asaj lagje, nuk ka pas shumë në numër, diku 200-300, janë largu të gjithë derisa kanë mbërri ata. Aty jemi ballafaquar me forcat serbe, ne ushtarët e UÇK-së”, ka thënë ai.
Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt me 4 prill, ku u dëgjua dëshmitar ishte Gani Sopi.