Dëshmitari Shala thotë se ka qenë ish-pjesëtar i armatës së ish-Jugosllavisë, Kroacisë dhe i UÇK-së

Dëshmitari Mark Shala, i ftuar për të dëshmuar në gjykimin e Pjetër Shalës, ka rrëfyer se ka qenë pjesëtar i disa ushtrive gjatë karrierës së tij. Ai u shpreh se kishte filluar shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi, kishte qenë pjesëtar i ushtrisë së Kroacisë dhe më pas u ishte bashkëngjitur edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Dëshmitari i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Mark Shala, në seancën e së hënës deklaroi se ka qenë ish-pjesëtar i armatës së ish-Jugosllavisë, pas kësaj ka kaluar në armatën e Kroacisë para se të kyçet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në pyetje këtë dëshmitar është duke e marrë mbrojtja e Pjetër Shalës, përmes avokatit Mohamed Hedi Aouini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mark Shala ka thënë se është ushtarak i shkolluar në Akademinë ushtarake në Beograd, të cilën pastaj e ka vazhduar në Sarajevë. Aktualisht, dëshmitari Shala mban dy nënshtetësi; atë kroate dhe kosovare.

“Pas shkollës së mesme kam përfunduar Akademinë ushtarake në ish-Jugosllavi, jam regjistruar në Beograd, dy vitet e para i kam kryer në Beograd, kurse dy vitet e fundit i kam kryer në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Pas kryerjes së Akademisë ushtarake, jam caktuar me detyrë në Kroaci në një vend që quhet Gospic dhe aty e kam filluar karrierën time si oficer prej muajt 8, 1985 deri në muajin e tetë 1991 kam punuar në armatën e ushtrisë jugosllave në Gospiq. Kam qenë komandant kompanie, diku një vit- një vit e dy-tre muaj, pastaj kam punuar në departamentin e logjistikës në Gospiq deri në mbarim të karrierës”, tha dëshmitari Shala.

Ai tha se ka qenë pjesëtar i ushtrisë së ish-Jugosllavisë deri në vitin 1991.

“Deri në vitin 1991 kam qenë si pjesëtar i ushtrisë së Jugosllavisë, por në ato kohë kanë filluar luftimet këto… Kroacia ka qenë e sulmuar nga ushtria jugosllave dhe serbe, dhe atëherë unë e kam braktisur armatën jugosllave dhe kam kaluar në armatën e Jugosllavisë”.

Pastaj, dëshmitari tregoi se si i ishte bashkuar ushtrisë kroate.

“Fillimisht pasi e kam braktisur armatën jugosllave diku kah fundi i muajit të tetë 1991, për një kohë kam shkuar për ta laruar familjen time që një kohë ka qenë në Kosovë që ka qenë bashkëshortja ime dhe vajzat se kanë qenë të rrezikuar aty. Unë nuk e kam lëshuar armatën jugosllave me vetëdëshirë sepse unë kam qenë i kërkuar. E kam marrë familjen dhe përmes Shkupit i kam dërguar deri në Zvicër. Kur e kam dërguar familjen në Zvicër… kam rënë në kontakt me disa eprorë dhe jam marrë vesh që të kthehem në vijën e Kroacisë dhe pas tre muajve iu kam bashkëngjitur ushtrisë së Kroacisë diku afër vitit 1992”, tha dëshmitari Shala.

Ai tha se në ushtrinë kroate ka shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1999.

“Ushtrinë e Kroacisë e kam ndërprerë në atë moment kur me është kërkuar apo kur janë bërë kushtet që ta lëshojë atë armatë dhe t’i bashkëngjitem Ushtrisë Çlirimtare. Jam liruar nga armata e Kroacisë me gradën nënkolonel”, tha ai.

Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala tha se i është bashkuar në muajin mars të vitit 1999.

“Kjo ka qenë diku kah fundi i muajit mars-muajit të tretë 1999. Data saktësisht mundet me qenë 26 diçka qashtu. Nga Kroacia kam udhëtuar për në Slloveni, në Lubjana. Në Lubjane jam takuar me disa kolegë të mi që kishin vendosur që t’i bashkohen UÇK-së dhe nga Lubjana kemi udhëtuar për Tiranë në Shqipëri”, tha ai.

Dëshmitari Shala tha se në Tiranë është takuar me njerëz nga UÇK-ja ku edhe ka filluar kyçja e tij në ushtri.

“Në Tiranë ishte si e vetmja mënyrë me udhëtu nga Lubjana në Tiranë. Në Tiranë jemi takuar edhe me njerëz të tjerë nga UÇK-ja, aty ka filluar edhe kyçja ime e shokëve të mi. Jemi takuar edhe me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së të shtabit dhe aty ka filluar dalngadal kyçja ime në UÇK. Në disa ditë kemi qenë aty të vendosur, banesë apo një hotel të vogël dhe kemi pritur një ekip, i cili ka pas me ardh nga Kosova, nga terreni, nga vatra e luftës me planin e luftës apo të operacionit shigjeta, aty i kemi pritur dhe deri sa kanë ardhur ata, aty ka zgjatur 6-7 ditë”, tha dëshmitari Shala.

Pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala tha se ka punuar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

“Kam punuar me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kosovë. Më herët kam qenë pjesëtar i trupave mbrojtëse të Kosovës prej fund vitit 1999 deri në transformimin e TMK-së në FSK. (në Ministri) kam qenë në Departamentin e Sigurisë në kohë, pastaj kam kaluar në kabinetin e ministrit, kam qenë këshilltar politik i ministrit të Forcës së Sigurisë”, tha dëshmitari. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika