Dëshmitari thotë se me Pjetër Shalën janë takuar dy herë gjatë luftës
Dëshmitari Mark Shala gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se gjatë kohës së luftës janë takuar vetëm dy herë me Pjetër Shalën. “Gjatë luftës jam takuar dy herë. Hera e parë ka qenë kur kemi ardhur në Kukës dhe jemi vendosur aty. Dhe aty sipas informatave […]
Dëshmitari Mark Shala gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se gjatë kohës së luftës janë takuar vetëm dy herë me Pjetër Shalën.
“Gjatë luftës jam takuar dy herë. Hera e parë ka qenë kur kemi ardhur në Kukës dhe jemi vendosur aty. Dhe aty sipas informatave që kam pasur, ai ka qenë në qendrën stërvitore në Burrrel. Ai ka ardhur në Kukës dhe jemi takuar aty. Unë datën nuk e di saktësisht, por mund të ketë qenë në fillim të prillit. E kam takuar konkretisht në Uzinë, për çka ai ka qenë në një objekt tjetër diku në periferi të Kukësit. Ka ardhur për t’u takuar me mua dhe kemi biseduar, e kemi pirë nga një kafe”, tha dëshmitari Shala.
Në këtë takim, dëshmitari Shala tha se Pjetër Shala i është lutur që t’i sigurojë armë që t’i bashkohet luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk ka zgjatur më shumë se gjysmë ore. Kemi biseduar për rrjedhën, çka do të ndodhë, çka do të bëhet. Nuk e di se kur është kthyer, se edhe ai është kthyer nga perëndimi se edhe ai ka qenë në Belgjikë të familjarët e vet dhe ka ardhur në luftë në Kosovë. E di që më ka thënë që e ka mendjen të shkojë në vijën e parë të frontit. M’u është lutur që t’ia siguroj një armë dhe më ka thënë që nuk e ka ndërmend të kthehet pa u kry kjo luftë. Ia kam siguruar armën dhe ai e ka marrë rrugën për vijë të frontit. Një armë të tipit Snajper, atë armë e ka nënshkruar. Unë i kam dhënë urdhrin një oficeri e ka nënshkruar numrin e vërtetimit, e ka marrë armën dhe ka ecur”, tha dëshmitari Shala.
Ndërsa, herën e dytë, dëshmitari Shala tha se me Pjetër Shalën për herë të dytë gjatë luftës janë takuar në një kafe në qytetin e Kukësit.
Dëshmitari Shala tha se me Pjetër Shalën janë të një fisi, mirëpo nuk kanë afërsi familjare.
“Nuk kemi marrëdhënie të afërta familjare, por te ne shqiptarët farefisi shkon shumë larg, shumë gjatë. Unë edhe në bazë të thënave dhe baballarëve të gjyshit tim, kurrkush nuk e mban mend të kemi qenë një bashkësi, por të fisit siç quhet te ne, jemi të një fisi”, tha ai./Betimi për Drejtësi















