Dëshmorët e Zajednicës

Protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje më 10 shkurt 2007, në të cilën u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini

Goditja me gjuhë fashiste e Elvis Hoxhës ndaj Rrahman Jasharajt, duke e cilësuar atë si anëtar të një partie serbe, nuk është lajm.

Elvis Hoxha e Husamedin Ferraj, përveç që tashmë njihen si të pashoq me mendime të marra, njihen prej kohësh edhe për gjuhën e tyre fashizoide, po ashtu.

Sidoqoftë, trajtimi i tyre si emra të përveçëm nuk ofron veçse një shpjegim të pjesshëm të dukurisë së normalizimit të gjuhës fashiste, linçuese, fyese dhe antinjerëzore nga anëtarësia e shitur e VV-së.

Në fakt, ata nuk janë gjë tjetër veç pjella me e shëmtuar e projekteve kriminale të Albin Kurtit, për ta mbytur që në lindje çdo mendim kritik të shoqërisë në Kosovë. Vetë Albin Kurti ka shkruar dikur një material zyrtar në VV, duke kërkuar që të keqpërdoret shkalla e analfabetizmit në vend, duke përhapur gënjeshtra, intriga dhe thashetheme kundër kundërshtarëve politikë. Pra, jo rastësisht VV ka përdorur linçimet më të vrazhda për të frikësuar, shtypur dhe diskredituar çdo zë kritik në Kosovë.

Lajm i ri megjithatë është solidariteti i madh i shoqërisë në Kosovë me një njeri të ndershëm si puna e Rrahman Jasharajt. Kjo tregon se përkundër përpjekjes së Albin Kurtit për ta nënshtruar një pjesë të madhe të shoqërisë, jo vetëm duke i çnderuar çnjerëzisht, por edhe duke i kushtëzuar me kafshatën e gojës, duke ua ndërprerë rrogat si në kohën e Millosheviçit e pikërisht, si rastësi e mbrapshtë me vitin 1989, nëpërmjet të birit të Syrja Pupovcit më 2022, shoqëria kosovare nuk po e humb vlerën dhe dinjitetin dhe as shpirtin e qëndresës.

Ky është një moment shpresëdhënës se në këtë vend, më në fund, njerëzit do të fillojnë ta thonë të vërtetën pa frikën se Elvisat e Partisë e Husamedinat e Nexhmisë do t’i shajnë me nënë, do t’i damkosin si tradhtarë, do t’i grushtojnë nëpër lagje apo do t’i djegin veturat e tyre si dikur. Prandaj, lufta e tanishme për të vërtetën duhet më patjetër të shndërrohet në një nismë të fuqishme kundër Kryemashtruesit të Kosovës, Albin Kurtit.

Pyetje me rëndësi, megjithatë, këto ditë mbetet kush e mbylli gojën paturpësisht para vendimit të tmerrshëm për ndërprerjen e pagave për grevistët sindikalistë? Shumëkush nga shoqëria civile, të cilët dikur përjargeshin duke premtuar arrestime të oligarkëve me ardhjen e VV-së në pushtet, nga ‘Blerimi i Fabrikës së Amortizerëve’ te ‘Ramiz Elkosi i Serbisë’.

Të njëjtit, sot, kanë nxjerrë sëpatat e tyre për t’ua gjymtuar sofrën, edhe ashtu jo të bollshme, dhjetëra mijëra mësimdhënësve në Kosovë të cilët s’kërkojnë asgjë më shumë se një trajtim dinjitoz, të cilin Albin Kurti ua kishte premtuar për t’ua vjedhur votat.

Në të njëjtën kohë, shukaten edhe aktivistët e VV-së, të cilët e kanë harruar Demarkacionin me Malin e Zi, Zajednicën e Bashkimin Kombëtar për shkak të përfitimeve financiare në parti apo nga dëshira për karrierë në zyrë të të paditurve sikurse, ta zëmë, Liburn Aliut e Arbërie Nagavcit.

Debati për luftën speciale kundër mësimdhënësve në Kosovë të udhëhequr nga Albin Kurti nuk duhet të shkëputet nga debati për koston e heshtjes dhe tjetërsimit të një pjese të madhe të shoqërisë për disa prej proceseve madhore në të cilat po kalon Kosova, veçanërisht dialogun me Serbinë.

A e mbani mend Arben Xheladinin, Mon Balajn, Arbnor e Astrit Deharin? Për qëllime meskine, Albin Kurti i shpalli dëshmorë të kombit pasi ua preu biletën për në varr. Në radhë të parë, shpallja e tyre dëshmorë është nënçmim për çdo ushtar të UÇK-së që me armë në dorë e vetëdije të plotë u flijua për atdheun, në vitet kur Elvis Hoxha e Husamedin Ferraj e kishin moshën e mjaftueshme, por nuk iu bashkuan luftës.

Dy të parët, u vranë në shesh të kryeqytetit më 10 shkurt nga policia rumune. Të dytët u vetëvranë për arsye të cilat duket se ata në heshtje i kanë marrë me vete. Për Arben Xheladinin e Mon Balajn, Albin Kurti pat premtuar drejtësi e llogaridhënie sapo ta marrë zyrën e tij si Kryeministër. Ne fakt, ai sot pret e përcjell zyrtarë të UNMIKU-ut e OKB-së në Kosovë, duke u zgërdhirë si servil i neveritshëm, pa e hapur këtë fare si temë, pa e ngritur në asnjë forum ndërkombëtar.

Familjet e tyre, ndërkaq, sot keqpërdoren për të ruajtur idenë e rrejshme para anëtarësisë së VV-së për VV-në si një lëvizje çlirimtare me dëshmorë të saj. Këto familje, me e pakta që mund të bëjnë është distancimi publik nga Albin Kurti, pasi u vërtetua se VV-ja është thjesht një bandë, të cilët zbatojnë marrëveshjen e ndarjes së sovranitetit energjetik me Serbinë dhe përgatitin terrenin me arsyetime boshe për zbatim të Zajednicës, lëre pastaj që ua lanë në baltë drejtësinë për fëmijët e tyre.

Ata nuk duhet të harrojnë se për hir të Albin Kurtit nuk kanë asnjë arsye të heshtin para shkeljes së rëndë të interesave kombëtare, përfshirë ndërprerjen në mënyrë kriminale të pagave për mësimdhënësit e çmuar të Kosovës.

Situata më e rëndë është, gjithsesi, me familjen e dy vëllezërve të vetëvrarë, Dehari. Shpallja e tyre dëshmorë tregoi vetëm gatishmërinë e Albin Kurtit për të bërë pazar elektoral me gjakun e vartësve të tij.

Pasi arriti këtë qëllim, ai vendosi t’ua bëjë babain, Avniun, edhe deputet. Kur e mori pushtetin, Avniun e la në baltë që dy vjet duke mos ia sjellë drejtësinë e premtuar për bijtë e tij, përkundër faktit se tashmë ai disponon me të gjitha instrumentet e sigurisë e drejtësisë në vend.

Për më shumë, tani që rezultatet e hulumtimeve zvicerane zbulojnë se kemi pasur të bëjmë vetëm me një mashtrim kriminal të Albin Kurtit, ajo punë filloi të harrohet.

Sidoqoftë, nuk mund të harrohet edhe heshtja e familjes së tyre, e cila për konsum televiziv prezantohej shpeshherë më patriotike se familja e Shaban Jasharit duke mbajtur ligjërata për idealin e vetëvendosjes se Astritit, para marrëveshjes për Zajednicë e kohës kur ka ndërprerje të pagave për mësimdhënësit vetëm pse janë ngritur në protestë.

A është kjo Kosova e ëndrrave të Arbnor e Astrit Deharit? Besoj, përgjigjen e dimë të gjithë, vetëm disa s’kanë guxim të flasin, sepse janë shitur, e disa shajnë me nënë e motër në rrjete sociale për ta mbuluar të vërtetën.

Me një fjalë, sa i përket Albin Kurtit, nuk ka asnjë çudi. Ai mbetet i njëjti gënjeshtar, që s’ka lënë ndjenjë pa prekur e kauzë pa përdorur, duke nisur nga zbardhja e fatit të të pagjeturve para negociatave me Serbi, deri te bashkimi kombëtar e aleanca ballkanike kundër Serbisë, për të ardhur në pushtet.

Ai mbetet i njëjti njeri i poshtër që ka luajtur me gjakun e shokëve, Astrit Deharit mbi të gjitha, vetëm për të ardhur në pushtet e për të zbatuar çdo gjë që ka kundërshtuar; ka rikthyer edhe reduktimet e energjisë elektrike ndërkohë që flet për rritje dyshifrore ekonomike e shantazhon sindikatat me ndërprerje pagash. E tmerrshme.

Sa i përket pjesës së shoqërisë që i intereson e vërteta, solidarizimi me Rrahman Jasharajn është shumë domethënës. Sepse prerja e pagave për mësimdhënësit nuk mund të trajtohet si diçka normale, po si vepër kryekëput e një autokracie në tentativë.

Prandaj, ata që kanë heshtur për këtë rast, më shumë gjasë do të kapërdijnë edhe Zajednicën që e kanë te dera, për të cilën Albin Kurti po mendon vetëm si ta gjejë një arsyetim publik para se t’ua vendosë në zemër të Kosovës.

Shpresoj shumë që familjet në fjalë do ta gjejnë forcën morale dhe të distancohen nga Albin Kurti, sepse vdekjet e tyre nuk e besoj që meritojnë të cilësohen si ‘dëshmorë të Zajednicës’.

Tingëllon e rëndë shumë, por këto janë pasojat e sjelljes se Albin Kurtit. Assesi këto të jenë etiketa personale. Në fund të fundit, dashuria e tyre për Kosovën duhet të jetë më e madhe se dashuria e tyre për Albin Kurtin dhe profiterin e pështirë në krye të pazareve me Serbinë, Besnik Bislimi.

Më e madhe se mashtrimi i vdekjes është neveria me keqpërdorimin e vdekjes. Ata brenda Vetëvendosjes, ata që i kanë qëndruar afër, e dinë shumë mirë, se si buzagaz Albin Kurti kishte kumtuar me krekosje se i kishte paralajmëruar shumë moti se sa të rëndësishme e kishin një vdekje për rrugëtimin e tyre politik dhe masovizimin e Lëvizjes.

“Ju thosha, vdekja kryen punë më shumë se mijëra këpucë të shqyera”, u kishte recituar Albini dishepujve të tij, porsa kishte përfunduar varrimi i Astritit.

“Tani, ta mbajmë mirë e të mos e shpërdorojmë momentin”, kishte vazhduar.

Disa prej të pranishmëve aty kishin kuptuar se diçka nuk qenka në rregull me këtë njeri, që s’gëzon empati as për shokun e vdekur. As në varrimin e tij.

Të tjerë, të droguar moti nga lideri, kishin besuar se është e tëra brenda sakrificës së përgjithshme dhe se Albini nuk po i gëzohet vdekjes, por fitores që po afron.

Një ditë, nuk mund të thuhet me siguri se kur, kryeministrit do t’ia shohin këtë anë edhe pjesa tjetër e njerëzve, siç e pa atë ditë ai grup i vogël shokësh, por çmimi nuk do të jetë një i ri i vdekur, por një gjeneratë e tërë e vyshkur në pakshim.

Të fundit nga rubrika