Dështimi i 19-të, me 54 vota pro, Vetëvendosje nuk arrin tek votimi i Haxhiut
Më asgjë nuk është e re në Kuvendin e Kosovës dhe edhe sot gjithçka ishte përsëritje e seancave të kaluara. Kryesuesi kërkoi që partitë të propozojnë anëtarët për Komisionin për votim të fshehtë. Partitë refuzuan, komisioni u hodh në votim, votimi dështoi. Me 54 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Dehari e mbylli seancën […]
Më asgjë nuk është e re në Kuvendin e Kosovës dhe edhe sot gjithçka ishte përsëritje e seancave të kaluara.
Kryesuesi kërkoi që partitë të propozojnë anëtarët për Komisionin për votim të fshehtë.
Partitë refuzuan, komisioni u hodh në votim, votimi dështoi. Me 54 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Dehari e mbylli seancën me përshëndetjen tashmë të zakonshme: shihemi pas 48 orësh.
Dallimin sot e bëri Memli Krasniqi, i cili përgjegjësinë për të folur në emër të PDK-së, ia kaloi Vlora Çitakut.
Ish-ambasadorja kërkoi reflektim nga Kurti që të zhbllokohet situata, ndërsa refuzoi ta komentojë deklaratën e tij ku vlerëson se PDK-së i duhet edhe një mandat në opozitë.
“Ne nuk i komentojmë dëshirat e deputetit Kurti, ne e vlerësojmë realitetin që është në Kuvend. Nuk ka shumicë, parlamentare. I bëjmë thirrje të reflektorë ta ndërrojë kandidaten, dhe të ecim tutje”, ka deklaruar Vlora Çitaku – Deputete e PDK-së.
Vetëvendosje gishtin e fajit vazhdon ta drejtoj kah ish-blloku opozitar.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila foli edhe për kërkesën që të mblidhen një herë në javë, e cila sipas saj ka pasur për qëllim ta presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës së AAK-së që të interpretohet ndryshimi i mënyrës së votimit.
“Ekziston nëj afat kushtetues, në momentin e konstituimit të Kuvendit janë 15 ditë prë të ardhur tek ajo pikë e cila do të jetë informatë për të gjithë. Gjegjësisht edhe Qeveria edhe përbërja mund të dihet se kush janë ata që e votojnë me 61 vota. Prandaj të mos kapërcejmë tek faza e 61 votave për Qeverinë, përderisa jemi tek konstituimi i Kuvendit…”, ka deklaruar Mimoza Kusari-Lila – Kryetare e Alternativës (koalicion me Vetëvendosjen).
Në emër të Vetëvendosjes foli edhe deputetja, Albulena Haxhiu.
“Nuk është e qartë çka do opozita, pra në vazhdimësi kanë qëndrime të ndryshme, ata kanë preferenca, ne bazohemi në të drejta kushtetuese…”, ka theksuar Haxhiu.
LDK kësaj radhe nuk foli pas dështimit të seancës, por disa deputetë të saj në fillim shfaqën qëndrimet e tyre.
Deputeti Armend Zemaj e komentoi intervistën e Kurti dhënë për televizionin publik, RTK-në duke cilësuar dëshirore, dhe vullnet që të mos përballet me realitetin.
“Nuk ka prtishmëri, deklarimet e Kurtit tregojnë se ai nuk është i interesuar për formimin e institucioneve..”, ka deklaruar Zemaj.
Deklarimet e Kurti ndaj opozitës zunë vend edhe tek deklarimet e ish-partnerëve, AAK-NISMA.
Kurti mbrëmë deklaroi se pa Limajn AAK nuk do ta kalonte pragun. Këtij konstatimi Haradinaj iu përgjigje duke thënë se pa Alternativën, e pa Listën GUXO, as Vetëvendosje s’e kish kalu pragun.
Por nuk e la me kaq.
“Ka angazhuar krejt VLEN-in e Maqedonisë së Veriut. Me dhjetëra njerëz të VLEN kanë ardhur prej atje me kontaktua Adem Hoxhën, me kërkesë të Albin Kurtit me marrë votën për më tutje. Madje i lëshon të tjerët me kritiku se pse ai bashkëpunon me ne”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së.
Edhe nga NISMA e komentuan deklarimin e Kurtit i cili tha se arsye kryesor e dështimit të marrëveshjes ka qenë kërkesa e Limajt që ta marrin postin e Kryetarit të Kuvendit.
“Në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, mirëpo peshën që ka një lider. Dhe z. Limaj dihet që ka dhënë një kontribut të çmueshëm, si gjatë çlirimit të vendit gjithashtu edhe në çështjet të krijimit të institucioneve”, ka theksuar Xhevahire Izmaku – Deputete e NISMA-s Socialdemokrate.
Seanca tjetër, e 20-ta me radhë, nis të premten, nga ora 11:00.















