Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundim të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së të Kuvendit, deputetët u mblodhën dhe dështuan të kryejnë këtë obligim për herën e 45-të.

Në minutën e heshtjes për përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në nisje të seancës deputetët nga komuniteti serb nuk qëndruan në sallë.

Abelard Tahirit të PDK-së, Ekrem Hysenit të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AAK-së, kryesuesi Avni Dehari i LV-së, ua ndali fjalën duke mos lejuar debat – pasi që prej tyre kishte kërkuar vetëm propozimet për anëtarë në komisionin për votim të fshehtë.

Këtë herë në sallë ishin 93 nga 120 të zgjedhurit e popullit.

Ndërkaq në votim morën pjesë 49 prej tyre, duke bërë që seanca të ndërpritet në mungesë kuorumi.

“Vijmë me 13, 7tit, në orën 11”, ka thënë Avni Dehari, Kryesues i përkohshëm.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së qëndruan në sallë edhe pasi Dehari e ndërpreu seancën.

Fjalë në foltore, por pa mikrofon zyrtar, mbajti deputetja Blerta Deliu Kodra që akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën.

“Protestë ndaj një partie që e ka marrë peng këtë Kuvend, protestë ndaj një pushteti që fare s’i intereson jeta e rëndë me të cilën sot përballen qytetarët e Republikës së Kosovës, i intereson vetëm ruajtja e pushtetit të vet, ruajtja e karriges së vet me çdo kusht. Protestë ndaj një personi që sillet si pronar shteti, jo si shërbëtor i tij”, ka thënë Blerta Deliu Kodra, Deputete e PDK-së.

Pasi Armend Zemaj i LDK-së ndërhyu, mikrofonat zyrtar u aktivizuan, ndërsa bashkëpartiaku i tij Ekrem Hyseni dhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj vazhduan akuzat ndaj partisë së parë.

“Pushtetari dhe burrështetasi janë dy koncepte të ndryshme. Pushtetari është ai i cili bën gjithçka që ta ruaj pushtetin, ndërsa burrështetasi bën gjithçka që shteti i tij të ketë mirëqenie, shteti i tij të jetë stabil dhe të prosperojë. Sot kemi të bëjmë me pushtetarë e jo burrështetas”, ka thënë Ekrem Hyseni, Deputet i LDK-së.

“Po e mban peng Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, nuk po i respekton as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pra ky është Albin Kurti”, ka thënë Time Kadrijaj, Deputete e AAK-së.

Fajin për dështimin dhe bllokadën Mimoza Kusari Lila e LV-së ua hodhi partive që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

“Është e qartë në rregullore se seanca konstituive nuk parasheh debat parlamentar. Ka vetëm proces votimi. Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje të dytë”, ka thënë Mimoza Kusari Lila, Deputete e LV-së.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që nuk qëndroi brenda sallës, paralajmëroi një takim me kryeministrin në detyrë.

“Kena me vazhdu me pas takime, kryeministrin nëse nuk gaboj është në Bosnjë, kam ndërmend edhe unë me ftua me pi kafe – kështu me tentu që të gjejmë zgjidhje. Sot kthehet, mendoj javën e ardhshme do ta ftoj”, ka thënë Fatmir Limaj, Deputet i NSD-së.

Seanca konstituive ka nisur më 15 Prill, ndërsa më 26 Qershor Gjykata Kushtetuese caktoi afatin prej 30 ditësh për përmbylljen e saj me konstituim të legjislaturës së nëntë.