Për herën e 48-të, të zgjedhurit e popullit dështuan ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Sërish, mungesa e kuorumit u bë shkak i ndërprerjes së seancës.

Paraprakisht, pati një acarim mes kryesuesit të përkohshëm Avni Dehari dhe deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, i cili vazhdoi me fjalim në vend të propozimit të anëtarit për komisionin për votim të fshehtë.

Edhe atij, edhe Alban Zogajt të LDK-së iu ndal mikrofoni.

Mikrofoni iu ndal edhe deputetes së AAK-së Time Kadrijaj, e cila duke ironizuar për anëtarë në këtë komision e propozoi kreun e LV-së, Albin Kurti.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka kandidatin, por sot paska shkua në pushime në Greqi, Albin Kurti”, ka thënë Kadrijaj.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, vazhduan me fjalime pasi Dehari e ndërpreu seancës dhe LV-ja, Nisma dhe komunitetet jo-shumicë dolën jashtë.

Deputeti i PDK-së Altin Krasniqi shprehi shqetësime për vazhdimin e ushtrimit të dy funksioneve nga anëtarë të partisë së parë.

“Gjykata ka vendosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë. Mbajtja e funksioneve të dyfisha është e kundërligjshme dhe jo-kushtetuese. Kjo është arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. U bëj thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave, njëkohësisht deputetë, që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive”, ka thënë Krasniqi.

Pasi te grupi parlamentar i LV-së e vendosi flamurin e kompanisë NOA, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami tha se me Albin Kurtin, sipas saj, Kosova është republikë e korrupsionit e mafias energjetike dhe asaj farmaceutike.

“Albin Kurti, pas katër vjetësh pushtet, më shumë identifikohet me flamurin e NOA-s, me flamurin e Meditech-ut, me flamurin e 2550 kontratave njëburimore të cilat i kam marrë nga KRPP më datë 10 Korrik të këtij viti. Ky është Albin Kurti. Albin Kurti mbështjellët me flamurin kuq e zi, për ta mbuluar korrupsionin”, ka thënë Bajrami.

Krahas dy partive tjera, theks të veçantë vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me Qeverinë i dha deputetja Kadrijaj.

“Gjykata e konfirmoi saktësisht se këta jashtëligjshëm janë duke i mbajtë pozicionet edhe si kryeministër, edhe si ministra, edhe si zëvendësministra”, ka thënë Kadrijaj.

Pasi konfirmoi se gjatë javës do të kenë takime me Nismën Socialdemokrate, e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, ministrja në detyrë e drejtësisë, Albulena Haxhiu, arsyetoi bashkë-partiakun Hekuran Murati.

“Murati e ka bërë betimin më 19 prill, ndërsa udhëzimi është nënshkruar më 15 prill. Janë dy-tri ditë para”, ka thënë Haxhiu.

Teksa afron afati 30 ditësh i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, me optimizëm kafe e drekë mes Fatmir Limajt e Albin Kurtit pret deputetja e Nismës Socialdemokrate Xhevahire Izmaku.

“Nisma vazhdon me qenë në ciklin e bisedimeve me kreun e Vetëvendosjes, presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv. Shpresojmë”, ka thënë Izmaku.

Të shtunën e 19 Korrikut, në ora 11, deputetët do të mblidhen për herën e 49-të me synim konstituimin e Kuvendit.