Dështimi nr.52: As Kushtetuesja e as ambasadorët nuk ua ndërrojnë mendjen deputetëve
Në ditën e parafundit të afatit kushtetues, të zgjedhurit e popullit regjistruan dështimin e 52-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. As vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në raport me vendimet dhe veprimet e deputetëve nga 27 Korriku deri më 8 Gusht, e as prania e ambasadorëve të akredituar, nuk […]
Në ditën e parafundit të afatit kushtetues, të zgjedhurit e popullit regjistruan dështimin e 52-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
As vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në raport me vendimet dhe veprimet e deputetëve nga 27 Korriku deri më 8 Gusht, e as prania e ambasadorëve të akredituar, nuk bënë shkak që diçka të ndryshojë.
Kryesuesi i përkohshëm, deputeti më i vjetër Avni Dehari nuk lejoi debat – teksa sërish kërkoi nga partitë propozime për anëtarë në komisionin për votim të fshehtë.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, megjithatë para se t’u ndalej mikrofoni, arritën të thonë nga një fjali që pati një pjesë të përbashkët: “kërkesën për kthim në rendin e ditës”.
Nga 107 deputetë në sallë, në votim morën pjesë vetëm 54 prej tyre – për pasojë seanca u ndërpre në mungesë kuorumi.
Me qëllim të mbledhjes së sërishme para hyrjes në fuqi të masës së përkohshme, Dehari e caktoi vazhdimin e seancës pas 27 orësh.
“Si përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër, pra për sot ndërpritet seanca, nesër takohemi në orën 14”, ka thënë Avni Dehari, Deputet i LV-së.
Sërish, PDK, LDK e AAK qëndruan në sallë edhe pasi Dehari e ndërpreu seancën.
Deputeti i Partisë Demokratike Elmi Reçica kërkoi një bashkim të partive për ta larguar Albin Kurtin nga pushteti.
“Ne duhet të angazhohemi bashkërisht, ne që e kemi një ndjenjë për këtë shtet, ne që kemi dhënë secili në forma të ndryshme për këtë shtet, që të bëhemi bashkë. Një njeri që është i dëmshëm për këtë vend, në këtë rast Albin Kurti dhe ndaj të gjithëve atyre që i shkojnë prapa, që të jenë jashtë vendimmarrjes në këtë parlament dhe këtë vend”, ka thënë Elmi Reçica, Deputet i PDK-së.
Teksa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e bën situatën “keq e më keq”, deputeti i Lidhjes Demokratike Lutfi Haziri tha se partia e parë po e keqpërdorë kryesuesin Dehari.
“Nuk është privilegj me qenë i vjetër për ta kryesuar Kuvendin dhe për me mbajt peng atë, por është privilegj me qenë më e reja dhe me mbajt rendin. Jemi mbet me u sjellë si kujdestarë të Republikës, qëndrimi për të mbrojt këtë Republikë nuk do të thotë që na pamundëson humbjen e qëllimit tonë. LDK ka vazhduar ta ndërtojë vlerën e shtetit në parimin e bashkimit në dallime, dallime politike dhe qëllimi i përbashkët nuk duhet të na largojë as ne as të tjerët nga realizimi i këtij qëllimi”, ka thënë Lutfi Haziri, Deputet i LDK-së.
Akuza për abuzim dhe shkelje kushtetuese ndaj partisë së parë dhe liderit të saj, pati deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.
“Është e turpshme që 26 vjet pas lirisë, një njeri me kapriço të tentojë të shkatërrojë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Po luan me identitetin kombëtar të Kosovës. A thua si ndihen familjet e dëshmorëve? Për çka kanë rënë Adem Jashari? Luan dhe Shkëlzen Haradinaj? Agim Ramadani?…, ka thënë Time Kadrijaj, Deputete e AAK-së.
Duke akuzuar partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë për sjellje destruktive, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati kërkoi që ato të përfshihen me votë në konstituimin e Kuvendit, para skadimit të afatit.
“Këto dy çështje janë të ndara. Pra, konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve, formimi i Qeverisë është obligim i koalicionit qeverisës që e bën shumicën. Megjithatë, nëse ka pasë kërkesa për marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit, edhe këtë gjë e kemi ofruar, por deri më tani nuk kemi pasur ndonjë përgjigje pozitive nga subjektet me të cilat kemi diskutuar”, ka thënë Hekuran Murati, Deputet i LV-së.
Seanca konstituive ka nisur më 15 Prill, ndërsa e shtuna e 26 Korrikut është dita e fundit e afatit që Gjykata Kushtetuese e caktoi për përmbylljen e saj me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.















