Dështoi herën e parë, nisin prapë procedurat për parkingun nëntokësor në Podujevë

Komuna e Podujevës para disa javësh ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Podujevë, ani pse një herë ishin ndërprerë procedurat për këtë projekt

Parking Nëntokësor, foto ilustruese

Komuna e Podujevës planifikon ndërtimin e një parkingu nëntokësor në qytet, pasi nuk ka shumë vende për parkim dhe qytetarët mund të shfrytëzojnë parkingun në qendër për t’i kryer punët e tyre në qytet.

Fatri Zhitia, zëdhënës në komunën e Podujevës, për Portalin e RTV Dukagjini ka thënë se qëllimi parësor i këtij parkingu është që të ofrojë më shumë hapësira për qarkullim dhe ta zhbllokojë qendrën e qytetit nga veturat.

“Ndërtimi i parkingut nëntokësor do ta lirojë qendrën e qytetit nga veturat, për shkak se kemi pak hapësira të parkingjeve në qytet dhe kjo do t’u ofrojë një mundësi të mirë qytetarëve që kryejnë shërbime të ndryshme në qendër të qytetit dhe nuk kanë hapësira të mjaftueshme për vendparkim. Qëllimi parësor për ndërtimin e parkingut nëntokësor është që të ofrojë më shumë hapësira për qarkullim dhe ta zhbllokojë qendrën e qytetit nga veturat”, ka thënë Zhitia.

Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës

Por, procedurat për ndërtimin e këtij parkingu kanë dështuar.

Sipas Zhitisë, nuk është vazhduar më tutje me procedurat, për shkak se ka ofertuar vetëm një kompani, e që sipas ligjit të prokurimit, minimum është që të ofertojnë dy kompani. Zhitia shprehet se këtë muaj pritet të rishpallen procedurat për herë të dytë.

Lokacioni i këtij parkingu është në qendër të qytetit, konkretisht, përballë objektit të komunës së Podujevës (Sheshi “Ali Ajeti”).

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parkingu nëntokësor – Sheshi “Ali Ajeti”

Podujeva (s’)ka nevojë për parking nëntoksor

Ndërsa, Nol Dedaj, ekspert i fushës së komunikacionit, thotë që nuk ka nevojë për një parking nëntokësor në Podujevë.

“Meqenëse Podujeva nuk ka transport urban, atëherë preferohet që një parking fushor të jetë afër qendrës, ndërsa parking nëntokësor nuk preferohet, për shkak se nuk ka arsyeshmëri teknike dhe ekonomike”, ka thënë Dedaj.

Gjithashtu, Dedaj ka një propozim për të parin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin.

“Së pari, kryetari i Podujevës duhet të bëjë SWOT analizën mbi arsyeshmërin e projektimit të çfarëdolloj të parkingut, pastaj të përzgjedhë se cilin lloj të parkingu mund ta ndërtojë”, është shprehur Dedaj.

Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit

Nga ana tjetër, menaxhmenti i komunës së Podujevës planifikon të ofrojë tokën për investitorin me afat 30-vjeçar, dhe të fitojë rreth 8% të qarkullimit përgjatë këtyre 30 viteve.

Sipas planifikimeve, ky projekt pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm. Shuma për këtë projekt pritet të jetë rreth 3 milionë euro dhe do të ketë kapacitet me mbi 250 vendparkingje.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika