Dështon edhe tentimi i 40 për konstituimin e Kuvendit
Pak minuta qëndrim të 100 deputetëve në sallë, për rezultat kanë sjellë vetëm dështimin e radhës në tentim për t’i konstituuar kuvendin. Kryesuesi i seancës Avni Dehari, nuk ndryshoi skenarin, derisa kërkoi nga partitë që ishin në opozitë të propozonin emra për komisionin për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit. Por, deputetët shfrytëzuan foltoren […]
Pak minuta qëndrim të 100 deputetëve në sallë, për rezultat kanë sjellë vetëm dështimin e radhës në tentim për t’i konstituuar kuvendin.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari, nuk ndryshoi skenarin, derisa kërkoi nga partitë që ishin në opozitë të propozonin emra për komisionin për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Por, deputetët shfrytëzuan foltoren që edhe një herë të bëjnë thirrje për tu kthyer sërish në pikën e votimit të hapur.
“Kryesues po të bëjmë thirrje edhe njëherë respektojeni Kushtetutën, kthejuni rendit të ditës dhe respektoje aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Njëjtë vepruan edhe deputetë të LDK-së e AAK-së, por që këta të fundit, patën një emër të LVV-së, për ta propozuar.
“Kryesues zbatone vendimin e Gjykatës Kushtetuese kthehu në rend dite, mundësone votimin…”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
“Ne si Aleancë kemi ndryshuar qëndrim na vjen keq partive tjera opozitare e kemi një emër për komision… ne e kemi një emër për Komision dhe e propozojmë deputetin Albin Kurti…”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Si rrjedhojë edhe ky tentim dështoi, për të vazhduar pas 48 orësh.
Ndërkohë që deputetët e PDK-së e LDK-së vazhduan akuzat për Lëvizjen e Vetëvendosje për bllokadën e krijuar.
“Puna jonë nuk është që të vijmë këtu e të defilojmë çdo 48 orë, puna jonë është të ndërtojmë institucionet, të ndërtojmë qeverinë, të merremi me hallet e sfidat e qytetarit të Republikës së Kosovës e jo me egon e zotëri Kurtit. Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrijmë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, ka tënë Vlora Çitaku, deputete e PDK-së.
Dek: Armend Zemaj- Deputet i LDK-së
“E patë edhe sot ‘injorancën’ e shumicës së parlamentare të VV-së për të mos lejuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për të mos krijuar mundësinë e votimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Kjo është shkelje në vazhdimësi, shkelje kushtetuese dhe është papërgjegjësi e madhe se çka po ndodh me kapjen e insititucioneve me tendencën që të vazhdojë ky ngërç politik”, ka shtuar Zemaj i LDK-së.
Por qëndrim tjetër nga ky kanë deputetët e LVV-së.
“Edhe në këtë seancë, veçanërisht tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e kemi sjelljen e deputetëve të opozitës të cilët veprojnë në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos marrë pjesë në votim. Kurse, është krejtësisht e qartë që është obligim i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës pjesëmarrja në votim dhe votimi i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.
Që nga 15 prilli, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar për 40 herë me radhë për të konstituar legjislaturën e nëntë.















