Mbledhja e 371-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritej të shqyrtohej çështja e kërkesave të gjyqtarëve nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Mbledhja u ndërpre pasi disa nga anëtarët e KGJK-së u larguan nga salla, duke bërë të pamundur vazhdimin e punimeve dhe shqyrtimin e pikave të rendit të ditës.
Pika e nëntë e rendit të ditës, e cila kishte të bënte me kërkesën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve, mbeti pa u trajtuar.
Para ndërprerjes së mbledhjes pati debat rreth rendit të ditës.
Anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, kërkoi që çështja e gjyqtarëve serbë të shqyrtohej si pika e parë, duke e cilësuar si “totalisht të pakonceptueshme” që kjo temë të diskutohej katër vjet pas dorëheqjeve.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, ishte përgjigjur se për vonesën nuk mund të japë llogari përbërja aktuale e Këshillit.
“Jemi në fillim të mandatit tonë. Përgjigjen duhet ta japin ata, e jo unë”, kishte deklaruar Thaqi.
Po ashtu, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i kishte kërkuar KGJK-së që të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesat e prokurorëve serbë për rikthim në sistemin e drejtësisë.
