Për herë të 18-të me radhë ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Edhe në vazhdimin e seancës së mbajtur të hënën sërish nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formim të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 maj në orën 10:30.

Çështja e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit ka mbetur pezull, pasi kandidatja e vetme e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme në disa raunde votimi.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, në përpjekje për të kaluar bllokadën politike. Por kjo iniciativë është kontestuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar të jashtëligjshme përpjekjen për votim të fshehtë dhe duke kërkuar marrjen e një mase të përkohshme për pezullimin e seancave, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi këtë praktikë.

Në mungesë të një zgjidhjeje politike dhe vendimi të prerë nga Kushtetuesja, Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar dhe pa udhëheqje.