Ka dështuar për herë të dhjetë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Jo më ndryshe sesa para 48 orësh, seanca nisi përsëri me tentimin e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kandidati i propozuar për komision nga ana e LVV-së, ishte përsëri Hekuran Murati.

Me kërkesën e kryesuesit Avni Dehari që PDK të bëjë propozimin e vet, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi doli në foltore, por jo për atë ç’ka kërkoi Dehari.

“Ju ftoj për përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos e bëni cirk këtë Kuvend”, ka thënë Memli Krasniqi, deputet i PDK.

Kjo bëri që Dehari t’ia ndërpres fjalën Krasniqit, kurse përgjigje të njëjtë pati edhe LDK-ja.

S’vonoi shumë e radha i erdhi edhe Listës Serbe për të propozuar një kandidat. As ky subjekt nuk e propozoi një të tillë, e këtë nuk e priti mirë Vetëvendosja.

“Ne nuk do të japim kandidat”, ka thënë deputeti i Listës Srpska, Slavko Simiq.

AAK nuk mori fare pjesë në votim e madje kryetarin e saj, nuk e pati fare prezent.

Edhe pse hyri me kohë në Kuvend, Ramush Haradinaj e lëshoi sallën befasisht pak minuta para se të niste seanca, ndonëse gjatë hyrjes dha një paralajmërim.

“Kam dëgjuar se do ketë mundësi përpjekjesh për një kandidat unifikues. Votimi është i hapur, mund të ndryshojë forma nëse është në pajtim me deputet. Emra s’kam dëgjuar por ka diskutime për të shkuar për një mundësi për kandidat unifikues”, ka thënë Ramush Haradinaj, Deputet i AAK-së.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pavarësisht se Abelard Tahiri nga radhët e PDK-së insistonte që të propozohej një kandidat për kryeparlamentar, kryesuesi Dehari kërkoi që partitë të votojnë për formimin e komisionit.

Por në votim mori pjesë veç Vetëvendosje e për rrjedhojë, Dehari veproi si në herat paraprake, pasi ishin vetëm 54 vota pro.

“Duke qenë se s’ka kuorum, detyrohem ta ndërpresë seancë…”, ka thënë Avni Dehari, Kryesues i seancës.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet të hënën, në orën 10:00.